Një lloj i ri dinosauri gjigant me qafë të gjatë, dyfishi i madhësisë së një tiranosaurus rex, është identifikuar nga shkencëtarët nga mbetjet e gërmuara në Tajlandë.
Nagatitani, dinosauri më i madh i gjetur ndonjëherë në Azinë Juglindore, peshonte 27 ton – aq sa nëntë elefantë të rritur aziatikë – dhe ishte 27 metra i gjatë, më i gjatë se një diplodokus. Ashtu si ai dinosaur, ai i përkiste familjes sauropod të barngrënësve me qafë të gjatë.
Një ekip studiuesish nga Mbretëria e Bashkuar dhe Tajlanda identifikuan speciet nga fosilet e gjetura pranë një pellgu në Tajlandën verilindore një dekadë më parë.
Ata thonë se zbulimi hedh dritë mbi mënyrën se si ndryshimet në kushtet e lashta klimatike lejuan zhvillimin e dinosaurëve gjigantë.
Emri i plotë i dinosaurit është Nagatitan chaiyaphumensis , ku “naga” i referohet një gjarpri në folklorin e Azisë Juglindore, “titan” i referohet perëndive në mitologjinë greke dhe chaiyaphumensis që do të thotë “nga Chaiyaphum”, provinca ku u zbuluan fosilet.
Ai jetoi midis 100 dhe 120 milionë vjet më parë – rreth 40 milionë vjet më herët se tiranozauri rex – dhe është rreth dyfishi i madhësisë së asaj krijese.
Thitiwoot Sethapanichsakul, një studente doktorature tajlandeze në University College London (UCL), ishte autorja kryesore e studimit i cili u botua në revistën Scientific Reports.
Ai tha se studiuesit i referoheshin nagatitanit si “titani i fundit” i Tajlandës, sepse fosilet u gjetën në formacionin më të ri shkëmbor me dinosaurë në vend.
“Shkëmbinjtë më të rinj të vendosur drejt fundit të kohës së dinosaurëve nuk ka gjasa të përmbajnë mbetje dinosaurësh sepse rajoni deri atëherë ishte bërë një det i cekët. Pra, ky mund të jetë sauropodi i fundit ose më i fundit i madh që do të gjejmë në Azinë Juglindore”, tha ai.
Sethapanichsakul, një i vetëshpallur “fëmijë dinosaur”, tha në një njoftim për shtyp të UCL se studimi gjithashtu “përmbush një premtim të fëmijërisë për të emërtuar një dinosaur”.
Nagatitani është dinosauri i 14-të që emërohet në Tajlandë. Paleontologia Dr. Sita Manitkoon, nga Universiteti Mahasarakham, tha se vendi ka një larmi të lartë në fosilet e dinosaurëve dhe është “ndoshta i treti më i bollshëm në Azi për sa i përket mbetjeve të dinosaurëve”.
Nagatitani endej nëpër Tokë kur nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë të planetit po rriteshin në përputhje me temperaturat e larta globale.
Bashkautori i studimit, Prof. Paul Upchurch i UCL, tha se familja e dinosaurëve sauropodë ishte bërë mjaft e madhe në këtë kohë, duke i thënë National Geographic: “Duket pak e çuditshme që sauropodët ishin në gjendje të përballonin kushtet e temperaturës më të lartë”, pasi trupat e mëdhenj ruajnë nxehtësinë dhe janë më të vështirë për t’u ftohur.
Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte “e mundshme që temperaturat e larta të kenë pasur një ndikim në ushqimin e bimëve që ishte i rëndësishëm për sauropodët, të cilët ishin barngrënës shumë të mëdhenj”./mxh
