Në orët e para të mëngjesit qyteti i Lushnjes u zgjua me mjegullën e tymit të krijuar nga djegia e tregut të fruta-perimeve. Fatmirësisht kemi të bëjmë vetëm me dëme materiale dhe asnjë të dëmtuar.
Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar deputeti i PD, Saimir Korreshi. Ai bën thirrje për dëmshpërblim të tregtarëve dhe një rikonceptim arkitekturor dhe inxhinierik të tregut.
“I bëj thirrje autoriteteve të zbulojnë shkakun nga ku ka ardhur zjarri. Së dyti për dëmshpërblimin e këtyre tregtarëve, sepse është i vetmi burim të ardhurash. E treta, struktura që në fillim është konceptuar keq. Ka mbulesë, por edhe çadra pafund, si tregu i Kandaharit.
Duhej një konceptim tjetër, sepse aty është si serë. Në verë është nxehtë dhe në dimër ka probleme me erën dhe shiun. Tani mendoj se në rindërtimin e këtij tregu do rikonceptuar si treg, për të ofruar kushte më dinjitoze. Nuk është një treg normal.
Mendoj se ky treg mund të ketë qenë i bukur për ta parë në TV, por asnjëherë nuk ka qenë praktik për njerëzit që punonin aty”, u shpreh Korreshi./kb
