Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e cilësoi Konferencën e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të zhvillohet në Bruksel, si një moment historik për procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria nis mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.
Sipas Ballës, me ritmin aktual të negociatave mbetet i realizueshëm objektivi për përfundimin e tyre deri në fund të vitit 2027.
“Për mua është një realizim historik që të mbahet Konferenca e nëntë Ndërqeveritare dhe të fillojë mbyllja e kapitujve. Me këtë ritëm negociatash, ne i qëndrojmë angazhimit për t’i mbyllur negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm”, deklaroi ai.
Gjatë debatit në Kuvend, Balla iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për delegacioni socialist në Strasburg.
“Tani, sa i përket momentit historik ku ndodhemi, dhe gjithë kjo zhurma, sa herë që Shqipëria ndodhet në një moment historik, për mua kjo është gjë e parë. Në vitin 2018-2019, Shqipëria hidhte hapa historik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo histori që sulmohet parlamenti, rrethohet parlamenti, e të tjera me radhë, është agjendë që dihet. Nuk është hera e parë.
Por dita e nesërme është realisht një moment i shumëpritur. Për mua, prej shumë vitesh në këtë sallë, të shoh që të mbahet konferenca e nëntë ndërqeveritare dhe të fillojë mbyllja e kapitujve, është një realizim historik. Dhe ajo që besoj që kuptohet nga të gjithë është: me këtë ritëm negociatash, ne i qëndrojmë angazhimit dhe ambicies tonë për t’i mbyllur negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm dhe për të shkuar drejt ratifikimeve, qoftë në parlamentet, mund të ketë dhe vende që të kërkojnë referendum.
Do doja shumë që Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy vendet pararendëse në këtë proces, të mos kalonin përmes referendumeve, sado kohë… që të gjithë e dimë që në vendet e tjera që kanë kaluar përmes këtij procesi nuk është kërkuar referendum. Por ai do të jetë edhe një moment testi për ne, në kuptimin e gjithë lobingut që duhet të bëjmë bashkë me Malin e Zi apo me vende të tjera, se mund të kemi dhe Islandën në paketën e re të zgjerimit, apo dhe vende të tjera, për të shkuar përpara”, tha Balla./Kb
