Maroku po avancon me një nga projektet sportive më ambicioze në botë, ndërsa po ndërton Grand Stade Hassan II, stadiumin gjigant që synon të bëhet arena më e madhe e futbollit në planet. Objekti spektakolar, që po ndërtohet pranë Kazablanka, do të ketë një kapacitet prej rreth 115 mijë spektatorësh, duke lënë pas stadiume ikonike si Kamp Nou, Uembli dhe Santiago Bernabeu.
Projekti është pjesë e përgatitjeve për Kupa e Botës 2030, që do të bashkëorganizohet nga Maroku, Spanja dhe Portugalia. Stadiumi po ndërtohet në zonën El Mansouria, në provincën Benslimane, rreth 40 kilometra larg Kazablankës, në një sipërfaqe prej afro 100 hektarësh. Sipas planit, ai do të jetë gati përpara Botërorit 2030, me objektivin që punimet të përfundojnë deri në vitin 2028.
Ajo që e bën unik projektin nuk është vetëm madhësia, por edhe dizajni. Arkitektura është frymëzuar nga tendat tradicionale marokene të njohura si “Moussem”, të përdorura në tubime kulturore dhe festa të mëdha.
Pamjet konceptuale tregojnë një çati gjigante metalike gjysmë-transparente, e projektuar për të lejuar hyrjen e dritës natyrale dhe për të krijuar hapësira me hije, duke shmangur ndjesinë e mbyllur të shumë stadiumeve moderne. Përreth stadiumit janë planifikuar gjithashtu kopshte, fusha ndihmëse, hapësira mikpritjeje dhe zona argëtimi, me synimin për ta kthyer kompleksin në një qendër të madhe sportive dhe turistike.
Kostoja totale e projektit llogaritet rreth 460 milionë euro. Autoritetet marokene e shohin stadiumin si simbol të epokës së re të futbollit në vend, pas suksesit historik të kombëtares marokene në Kupa e Botës 2022, ku skuadra arriti deri në gjysmëfinale./kb
