Shtëpia italiane e luksit Dolce & Gabbana ka njoftuar më 13 prill emërimin e Stefano Cantino si Co-CEO (bashkëdrejtor ekzekutiv), në kuadër të një riorganizimi të gjerë të strukturës drejtuese. Ai do të punojë krah për krah me Alfonso Dolce, duke forcuar menaxhimin e kompanisë në një fazë të re zhvillimi.
Ky ndryshim vjen pas vendimit të bashkëthemeluesit Stefano Gabbana për t’u tërhequr nga rolet ekzekutive dhe pozicioni i kryetarit, me efekt nga 1 janari 2026. Megjithatë, ai do të vijojë të jetë i përfshirë në drejtimin kreativ të markës.
Në një deklaratë zyrtare, kompania bëri të ditur se dorëheqjet e Gabbana nga pozicionet në disa prej kompanive të grupit janë pjesë e një evolucioni natyror të strukturës organizative dhe nuk ndikojnë në aktivitetin e tij krijues.
Drejt një modeli “lifestyle”
Emërimi i Cantino-s shihet si pjesë e strategjisë së Dolce & Gabbana për të kaluar nga një markë e fokusuar vetëm te moda në një kompani më të gjerë “lifestyle”. Alfonso Dolce u shpreh se është i kënaqur që do ta ketë Cantino-n në krah në këtë fazë të re rritjeje dhe zhvillimi.
Aktualisht, Alfonso Dolce mban edhe rolin e CEO dhe kryetarit, duke konsoliduar drejtimin në qendër të organizatës./mxh
