Last Updated on 27/02/2026 by Kesjana
Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka sulmuar publikisht aktorin e famshëm Robert De Niro, duke e përshkruar atë si “të sëmurë dhe të çmendur” dhe “mendërisht të paqëndrueshëm” përmes një postimi në rrjetet sociale. Kjo vjen pasi De Niro kritikoi hapur Trumpin dhe i bëri thirrje amerikanëve të bëjnë diçka për ta hequr atë nga pushteti në zgjedhjet e ardhshme të mesit të mandatit.
Aktori i njohur, i moshës 82 vjeçare, në një podcast të botuar së fundmi foli me emocione të forta për zhgënjimin e tij ndaj qeverisjes së Trump dhe bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve që ta largojnë nga pushteti, duke thënë se Trump po dëmton vendin.
Në përgjigje, Trump jo vetëm e sulmoi De Niron, por edhe dy kongresistet demokrate Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib që e sfiduan gjatë fjalimit të tij për Statusin e Unions. Trump i përshkroi të gjithë ata si persona me inteligjencë shumë të ulët, dhe tha se disa nga veprimet e tyre janë “pothuajse KRIMINALE”.
Gjithashtu ai ironizoi momentin kur De Niro u prek emocionalisht dhe “u shkatërrua në lot”, duke thënë se dukej sikur po sillte si një fëmijë, dhe e krahasoi me prezantuesen Rosie O’Donnell.
De Niro ka qenë kritik i hapur i Trump që nga vitet e tij të mëparshme në pushtet (2017–2021) dhe ky është një episod i ri i zënkave të tyre publike. /kb
