Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi sot në konferencën kombëtare për cilësinë e drejtësisë rëndësinë e një sistemi gjyqësor efikas dhe funksional për integrimin e vendit në BE.
“Drejtësia dhe dhënia e shpejtë e saj janë në themel të procesit për në Bashkimin Evropian. Konferenca vendos tonin për vitin që kemi përpara dhe mbështet institucionet e drejtësisë,” tha Gonzato.
Ai shtoi se sfidat me të cilat përballen gjyqtarët, për shkak të volumit të madh të çështjeve, kërkojnë veprime vendimtare dhe rritje të resurseve njerëzore.
Ambasadori nënvizoi nevojën për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, të mbështetur nga këshilltarë ligjorë, si dhe nisjen e emërimeve të nevojshme për të lehtësuar barrën e punës së sistemit gjyqësor. “Nëse është e nevojshme, numri i tyre duhet të rritet për të garantuar funksionimin e përditshëm të gjyqësorit,” tha ai.
Konferenca kombëtare, sipas Gonzatos, është një moment kyç për të diskutuar dhe vendosur prioritetet e vitit të ri në drejtësi, duke e lidhur qartë me interesin e qytetarëve shqiptarë dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Viti 2025 mbaroi me një konferencë për drejtësinë dhe vitin e ri po filloj me një aktivitete për drejtësinë. Sa shumë drejtësia dhe dhënia efikase e drejtësisë është në themel të procesit për në BE. Konferenca vendos tonin për vitin që kemi përpara, mbështetjen për institucionet e drejtësisë.
Tema është thelbësore dhe vendimtare se lidhet me një çështje konkrete për të gjithë qytetarët shqiptarët.
Dëshiroj ta filloj këtë fjalë duke u shprehur se kuptojmë sfidat dhe përballjet që kanë gjyqtarët. E di që nuk është e lehtë të punosh nën presion me një stok të madh çështjesh duhet të merren masa.
Këto sfida kërkojnë veprime vendimtare.
Na duhen më shumë prokurorë dhe gjyqtarë të mbështetur nga këshilltarët ligjorë.
Duhet të fillojnë emërimet e nevojshme. Nëse është e nevojshme numrat duhet të rriten për të mbështetur gjyqtarët në punë e tyre të përditshme”, tha Gonzato./ K.M
