Last Updated on 30/10/2026 by Monika
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve, siç tha ajo, të rënda institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj kritikoi ministren Gërvalla për mungesë të përgjegjësisë politike, duke thënë se ndarja e pushteteve nuk mund të përdoret si arsyetim për t’iu shmangur përgjegjësisë institucionale, raporton KosovaPress.
Kabashi-Ramaj përmendi edhe gjetjet e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilat i cilësoi si tronditëse. Sipas saj, në rastin Zekaj nuk është ekzekutuar një urdhër mbrojtjeje, një tjetër është ekzekutuar me vonesë, ndërsa nuk është marrë parasysh kërkesa për rivlerësimin e rrezikut.
Ajo theksoi se këto dështime kanë ndodhur në mekanizmat që kanë për detyrë parandalimin e rasteve të tilla, duke kërkuar përgjigje se kush kishte njohuri për rrezikun dhe pse nuk ndërhyri.
Deputetja e PDK-së përmendi edhe dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, por sipas saj, kjo nuk duhet të shërbejë për shmangien e përgjegjësisë politike të ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Kabashi-Ramaj kërkoi që në rast se dy ministrat nuk japin dorëheqje, kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë largimin e tyre nga detyra ose t’i shkarkojë.
Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj të dielën në Vitomiricë të Pejës. Vrasja e saj u dënua ashpër nga qytetarët dhe institucionet. Tash e sa ditë po mbahen protesta në qytete të ndryshme të vendit tonë. Në lidhje me rastin, sot ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ndërsa dje janë suspenduar kryeprokurorja në Pejë Lumturie Vuçetaj, prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë./mxh
