Last Updated on 30/10/2026 by Monika
Emri i Dua Lipës është kthyer në objekt të një beteje ligjore, pasi një tregtar nga Hong Kongu e kishte përdorur atë për të promovuar dhe shitur produkte pa autorizimin e këngëtares. Megjithatë, artistja shqiptare ka arritur të fitojë çështjen dhe të marrë nën kontroll domenin e përdorur për këtë aktivitet.
Sipas “Daily Mail”, një person i identifikuar si Gary kishte krijuar faqen dualipa-asiastore.com, ku tregtonte veshje, çanta dhe aksesorë, duke krijuar përshtypjen e një lidhjeje me këngëtaren.
Për këtë arsye, çështja përfundoi pranë Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO). Pas shqyrtimit të ankesës, institucioni vendosi në favor të Dua Lipës, duke arritur në përfundimin se domeni ishte regjistruar dhe përdorur në keqbesim. Si rrjedhojë, u urdhërua kalimi i tij në pronësi të kompanisë së artistes.
Kjo fitore vjen në një moment kur emri i Dua Lipës përfaqëson jo vetëm një markë të fuqishme muzikore, por edhe një biznes me vlera të konsiderueshme financiare.
Dokumentet e kompanive të saj tregojnë se këngëtarja ka gjeneruar rreth 23.4 milionë paund nga muzika, të drejtat autoriale, performancat live dhe aktivitetet e tjera tregtare. Ndërsa kompania e saj, Radical22, vlerësohet rreth 73 milionë paund.
Sukses të konsiderueshëm financiar ka shënuar edhe turneu botëror “Radical Optimism”, i cili gjatë vitit 2025 regjistroi 81 koncerte dhe rreth 162 milionë paund të ardhura bruto.
Kështu, Dua Lipa po dëshmon se përveç karrierës ndërkombëtare, po i kushton rëndësi të veçantë edhe mbrojtjes së identitetit të saj si markë, duke ndërmarrë hapa ligjorë kundër përdorimit të paautorizuar të emrit të saj për përfitime tregtare./mxh
