Armando Duka premtoi shpërndarjen e 3 milionë eurove për klubet shqiptare, që sipas tij po vuajnë nga një krizë financiare.
Vitin e ardhshëm, brenda muajit qershor, Armand Duka duhet të organizojë zgjedhjet për presidentin e ardhshëm dhe, mesa duket, ka nisur fushatën.
Por pyetja është: pse i kemi klubet në krizë financiare pas 24 vitesh, kur njëkohësisht Federata thotë se po punon mirë? Kur kampionati nuk ka besueshmëri, kur klubet janë të falimentuara dhe kur nuk është arritur të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për më shumë se dy dekada, atëherë cila është merita e Federatës?
Po këto 3 milionë euro, do të shpërndahen për presidentët që kanë të drejtë vote, apo për klubet? Nëse është për klubet, si do t’ia japë paratë Tiranës, kur i ka të gjitha llogaritë të bllokuara? Po Partizanit sa para do t’i japë, që zyrtarisht thotë se nuk është në krizë? Po Lushnjës, që është klub bashkie, sa para do t’i japë dhe a lejohet që një OJF t’i japë para një ndërmarrjeje shtetërore?
Ka shumë pikëpyetje për 3 milionë eurot që premtoi Duka, por kjo nuk është hera e parë. Në tre mandatet e fundit ka premtuar të njëjtën gjë dhe rezultati ka qenë: klube më të varfra, më pak tifozë në stadium dhe më shumë servila të federatës në televizion. m.p.
