Last Updated on 09/11/2026 by Anisa
SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit, duke shtuar dy akuza të reja ndaj saj: pastrim parash dhe korrupsion.
Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi Hyseni kërkoi zbutjen e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme. Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë zgjeruar përtej dyshimeve për zbulimin e sekreteve shtetërore, duke përfshirë edhe një komponent financiar.
Një ditë më parë u raportua se SPAK ka dërguar letërporosi në Kosovë dhe Gjermani, në kuadër të verifikimeve për transferta të dyshimta financiare. Sipas informacioneve të bëra publike, hetuesit po verifikojnë edhe aktivitetin financiar të vëllait të Vlora Hysenit, i cili dyshohet se përdor një identitet tjetër dhe ka kryer transferta që kanë tërhequr vëmendjen e hetuesve.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me dyshimet për përfshirjen e Ergys Agasit. Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Agasi ka përdorur fondet e AKSHI-t për të korruptuar ish-drejtoreshën e SHISH-it.
Në këtë kuadër, Prokuroria e Posaçme ka vënë në fokus edhe një transfertë prej 450 mijë eurosh, e cila është anuluar më 27 shkurt 2024. Megjithatë, sipas SPAK, anulimi i saj nuk përjashton dyshimin për premtimin dhe pranimin e një përfitimi të parregullt nga Hyseni, në këmbim të dhënies së informacioneve sekrete të institucionit ndaj Agasit.
Sipas komunikatës zyrtare të SPAK, ndaj Vlora Hysenit janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Deri në këtë fazë, ajo është nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal, që lidhen përkatësisht me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.
Shtimi i akuzave për pastrim parash dhe korrupsion shënon një zgjerim të hetimit të SPAK, i cili po verifikon jo vetëm dyshimet për nxjerrjen e informacioneve sekrete, por edhe rrjedhën e mundshme të parave dhe përfitimet financiare që mund të jenë përdorur në këtë çështje./ad
