Last Updated on 20/04/2026 by Monika
Pas përfundimit të javës së 32-të në kampionatin shqiptar, panorama e “Final Four” ka nisur të marrë formë, me dy skuadra që kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në këtë fazë.
Vllaznia dhe Elbasani janë ekipet që kanë prerë biletën për mini-turneun që do të përcaktojë kampionin, ndërsa gara për dy vendet e tjera vijon.
Sipas rregullores së aktivitetit, katër skuadrat e para në renditje do të hyjnë në fazën “Final 4” me pikët e grumbulluara gjatë sezonit të rregullt, por të përgjysmuara. Ky mekanizëm ndryshon ndjeshëm balancat në klasifikim, duke afruar diferencat mes ekipeve.
Në situatën aktuale, Vllaznia kryeson me 30 pikë pas përgjysmimit, ndërsa Elbasani ndjek me 29 pikë. Egnatia pozicionohet me 27 pikë, ndërsa Dinamo, që mban vendin e katërt, do të hynte në këtë fazë me 22 pikë.
Në këtë proces, dy skuadra penalizohen drejtpërdrejt nga mënyra e përllogaritjes së pikëve. Elbasani, që aktualisht ka 59 pikë në renditje, do të zbresë në 29, ndërsa Dinamo nga 45 pikë do të kalojë në 22. Kjo e vendos ekipin kryeqytetas në një pozicion të vështirë për garën e titullit, pasi diferenca me vendet e para mbetet e konsiderueshme.
Megjithatë, formati i “Final 4” lë të hapura të gjitha mundësitë në aspektin matematikor. Edhe pse Dinamo shihet me më pak gjasa për të luftuar për titullin, një seri rezultatesh pozitive në këtë mini-turne mund të ndryshojë skenarin, ndonëse konsiderohet një mundësi e vështirë.
Kalendari i kësaj faze është i përcaktuar dhe do të zhvillohet në tre javë të ndara. Java e parë nis më 16 maj në stadiumin “Air Albania”, me përballjen mes Vllaznisë dhe Dinamos në orën 19:00. Një ditë më pas, më 17 maj, në të njëjtën orë dhe stadium, luhet ndeshja Elbasani-Egnatia.
Java e dytë vijon më 23 maj me sfidën Vllaznia-Egnatia, ndërsa më 24 maj përballen Elbasani dhe Dinamo. Në javën e tretë, më 29 maj, zhvillohet dueli direkt mes Vllaznisë dhe Elbasanit, ndërsa më 31 maj mbyllet faza me ndeshjen Egnatia-Dinamo.
Ky format përqendron gjithçka në disa ndeshje direkte, ku çdo pikë merr një peshë të madhe në renditje. Diferencat e krijuara gjatë sezonit reduktohen dhe çdo rezultat mund të ndikojë drejtpërdrejt në përcaktimin e skuadrës kampione./mxh
