Dy persona kanë humbur jetën në dy incidente të ndara të ndodhura mbrëmjen e së martës në Kosovë, një në Prishtinë dhe një në Mitrovicë të Jugut. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve.
Në Prishtinë, një person është vrarë me armë zjarri në lagjen “Bregu i Diellit”. Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja është raportuar rreth orës 20:30 në rrugën “Sali Nivica”.
“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull). Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, njoftoi Policia e Kosovës.
I dyshuari për këtë vrasje është në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në Mitrovicë, ku një 37-vjeçar ka vdekur pas plagëve të marra nga goditje me thikë, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ngjarja ka ndodhur në Lagjen e Romëve.
“Mbrëmjen e 27 majit 2026, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij”, thuhet në njoftim.
I dyshuari për vrasjen në Mitrovicë është arrestuar nga policia, ndërsa hetimet për të dy rastet janë në vijim./A.D
