Last Updated on 17/10/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet përballë protestave dhe mesazheve për dorëheqje. Pas dëmeve të shkaktuara bizneseve në Tiranë, ai njoftoi ngritjen e një mekanizmi për verifikimin dhe dëmshpërblimin e tyre, ndërsa në reagimin e tij theksoi se qeveria do të vijojë përpara me objektivin e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. “Nuk ka forcë që të na ndalë mua, ju dhe Shqipërinë, apo të na kthejë mbrapsht”, deklaroi Rama, duke dënuar dhunën dhe duke mbrojtur njëkohësisht të drejtën e studentëve për të protestuar.
Edi Rama:
Prej ditës së sotme, çdo biznes i vogël që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër do të ketë një dritare në e-Albania, ku mund të regjistrojë dëmet. Ndërkohë, sikundër u thashë edhe miqve të mi të dëmtuar këtu, në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Drejtoria e Tatimeve do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat mbi dëmet e shkaktuara bizneseve të vogla të kryeqytetit.
Ne do të jemi bashkë, do të jemi pranë çdo familjeje që jeton me punë të ndershme në Tiranë dhe që ka humbur pasurinë. Do t’i kthejmë këto gremadha verbërie në shembull të forcës sonë për të ecur përpara.
Ne i respektojmë studentët. Unë e çmoj forcën e ëndrrave dhe shpresave të tyre si motorin e së ardhmes, si shtysën e të gjithëve ne për të ecur më shpejt përpara.
Zëri i tyre, zëri i rinisë dhe i çdo qytetari që sot ka nevojë të protestojë, duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si një e drejtë për të cilën ne të gjithë kemi luftuar në kohë të ndryshme.
Por, pikërisht sepse të rinjtë janë e ardhmja jonë, unë nuk do të lejoj askënd as të rrezikojë të ardhmen e këtij vendi, ku rriten ata dhe çdo fëmijë i Shqipërisë, as për përfitime politike të atyre duarve të padenja që janë rikthyer me tërbimin e djegies e të shkatërrimit, as për qëllime të mbrapshta të të huajve që janë futur për të na ndalur, por as për ndonjë qëllim tjetër.
Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira sesa në çdo ditë të mirë: të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë dhe ta çoj Shqipërinë përpara, së bashku me këtë shumicë qeverisëse që ka një mandat shumë të qartë: Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Mos harroni se kemi arritur gjëra të jashtëzakonshme në një dekadë të vetme. Kemi nisur të mbyllim negociatat në rrugën drejt majës, ku do ta çojmë Shqipërinë me flamurin e Ismail Qemalit dhe të Skënderbeut, në shtëpinë e Europës së bashkuar. Kemi trefishuar prodhimin e brendshëm të vendit, nga më pak se 10 miliardë në thuajse 30 miliardë euro. Kemi tërhequr gjithnjë e më shumë investime të huaja, e kemi zgjeruar industrinë tonë të turizmit në një volum që as nuk e imagjinonim deri para një dekade dhe i kemi dhënë Shqipërisë dinjitetin që s’e ka pasur kurrë në sytë e mbarë botës.
Pagat nuk janë asnjëherë të mjaftueshme, por kanë vazhduar të rriten dhe do të rriten përsëri, ndërkohë që borxhi publik është ulur në nivele historike. Sot, shërbimet ofrohen në masë dërrmuese me një klikim, përmes celularit apo kompjuterit më të afërt. Sot, Shqipëria është një vend tjetër dhe, me këto arritje e me këtë bazë, unë do të vazhdoj, bashkë me ju, ta çojmë Shqipërinë përpara, të ndërtojmë atë Europë këtu, që na është mohuar për kaq e kaq shumë dekada e shekuj.
Do të mbrojmë të drejtën e çdo studenti shqiptar për t’u arsimuar, të drejtën e çdo shqiptari për të punuar dhe për të jetuar me punë të ndershme, si dhe të drejtën e kujtdo për të ecur i sigurt në rrugët tona. Pa asnjë diskutim, nuk do të lejojmë që politika e falimentuar, me maskat e saj të rrugës apo me kllounët e saj të mbrëmjes, t’i rrëmbejë këto liri përmes dhunës dhe nxitjes së dhunës.
Një student që mban një pankartë ushtron një të drejtë demokratike. Një person i maskuar që thyen dhe grabit një biznes kryen një krim. Dhe ne dimë ta bëjmë dallimin, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin dhe ne do të veprojmë së bashku në përputhje me këtë dallim.
Ata që shkatërruan pronën e kujtdo, ata që, të verbuar nga furia e rrugës, shkatërruan pronën e secilit dhe pronën e përbashkët, do të mbajnë përgjegjësi. Ata që shkaktuan shkatërrime do të përballen çdo ditë me ligjin, ndërkohë që ata që i pësuan do të marrin të gjithë mbështetjen tonë, jo vetëm me fjalë, jo vetëm me zemër, jo vetëm me dorën e shtrirë, por edhe përmes shlyerjes së dëmit.
Fëmijët tanë nuk kanë asnjë lidhje me dhunën dhe me këto pamje dhune. Thyerja e xhamave nuk është projekt politik. Djegia e ndërtesave nuk është projekt politik. Dhe, mbi të gjitha, dhuna as nuk ka mandat, as nuk jep mandat.
Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush. Dhe, mbi të gjitha, nuk ka forcë që të na ndalë mua, ju dhe Shqipërinë, apo të na kthejë mbrapsht./ad
