Last Updated on 12/12/2025 by Monika
Në Elbasan u përkujtua sot 35-vjetori i protestave të para antikomuniste, ku qytetarët u ngritën kundër regjimit të atëhershëm për të kërkuar lirinë dhe vendosjen e demokracisë në vend.
Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha rikujtoi momentet e dhjetorit 1990, kur sipas tyre qytetarët e Elbasanit sfiduan tanket dhe ushtrinë e regjimit të Hoxhës dhe kontribuan në themelimin e PD-së në qytet.
Gjatë fjalimit u theksua se demokratët janë “njerëz të idealeve” dhe se lëvizja e vitit 1990 u udhëhoq nga interesat kombëtare dhe aspirata për liri. Folësi deklaroi se Partia Demokratike mbetet “e pamposhtur” dhe se trashëgimia e asaj lëvizjeje është ende udhërrëfyese për të djathtën shqiptare.
Në vijim, ai u ndal tek situata politike aktuale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se “nuk fiton zgjedhje, por i merr me dhunë dhe me mjete të paligjshme”. Sipas tij, procesi i fundit zgjedhor “nuk mund të quhet zgjedhje”, pasi “u vodh nga fillimi në fund dhe u ble me para droge”. Ai përsëriti qëndrimin se me Ramën “nuk mund të ketë zgjedhje të lira”, por theksoi se opozita është përpjekur të mbrojë votën “në të gjithë Shqipërinë”./mxh
