Last Updated on 17/11/2025 by EL
Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur një goditje kaq e organizuar ndaj një produkti shqiptar, sa ajo që po përjetojnë sot fermerët e Konispolit dhe gjithë zonës së ultësirës së Jugut. Një katrahurë mediatike, e ushqyer nga ziliqarë, tregtarë të paskrupullt dhe segmente të caktuara politike (dhe jo vetëm), që nuk duan t’ia dinë për djersën e njerëzve të ndershëm.
Mandarina jonë, prodhim i një klime unike, i tokës së bekuar dhe i duarve të njerëzve të këtij vendi, është sot më e mira në treg, më konkurruese se ajo italiane apo greke. Jo për propagandë, por sepse natyra dhe përkushtimi i fermerit shqiptar flasin vetë. Në Konispol, Çiflik, Shkallë, Mursi, Xarrë, deri në Vrinë e Shëndëlli, familje të tëra jetojnë nga kjo kulturë bujqësore, me mund e djersë, punësojnë qindra punëtorë sezonalë, mbajnë gjallë ekonominë e zonës dhe nderin e vendit.
Por çfarë ndodhi këtë vit?
Ndodhi ajo që ndodh sa herë që dikush në këtë vend ngre kokën me punë të ndershme. Shpifja u bë titull, lajmi i rremë u bë “skandal”, ndërsa media, në vend që të jetë gardiane e së vërtetës, u kthye në llavë që përmbyt sakrificën e bujkut të thjeshtë. U dhanë alarme, u fol për “valë ndotjeje”, u shpikën analiza që fshatari nuk i ka bërë kurrë dhe që askush nuk ia kërkoi. Një farsë që dashakeqësit e shfrytëzuan me mjeshtëri për të ulur çmimin, për të krijuar panik dhe për të marrë prodhimin me thërrime.
Erdhën autoritetet, u bënë verifikime, u sqaruan faktet. Por dëmi ishte bërë. Mediat nuk tërheqin kurrë atë që hedhin. Tregtarët vazhdojnë të abuzojnë, shteti bën sehir, ndërsa fshatari humb përditë, me kokën ulur, pa e kuptuar pse sistemi është ngritur kundër tij. Në rrjetet sociale, ndërkohë, patronazhistë e servilë që s’kanë mbjellë kurrë një fidan, flasin me fodullëk për mandarinën, sikur janë ata që i rrinë pranë në shi, në acar e në vapë.
Këtyre njerëzve u vjen kollaj të shkruajnë, të komentojnë, të hedhin baltë. Por baltën nuk e fshin dot askush nga lëkura e bujkut, i cili çdo vit rrezikon gjithçka: tokën, prodhimin, shpresën.
Në këtë histori, fshatari është viktima e parë, por jo e vetmja. Dëmtohet familja e ndershme shqiptare, dëmtohet ekonomia lokale, dëmtohet imazhi i prodhimit “Made in Albania”.
E patolerueshme! Nuk mund të lejojmë që disa tituj sensacionalë dhe disa zëra të porositur të shkatërrojnë punën e një komuniteti të tërë. Media ka detyrimin të verifikojë, jo të përhapë panik. Politika ka detyrimin të mbrojë, jo të eksperimentojë me fatet e atyre që e votojnë. Ndërsa shoqëria duhet të kuptojë se pas çdo mandarine të hedhur, ka një familje që humbet një ditë shprese.
Fermeri meriton të dëgjohet, jo të turpërohet. Ai nuk ka zë në ekrane, por ka të drejtë në këtë vend. Dhe është koha që të gjithë ta mbrojmë së bashku, duke shfaqur respekt, duke i njohur dinjitetin e punës së tij. m.p.
