Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka reaguar lidhur me tensionet në protestën e sotme të opozitës. Ministrja shprehet se nga përplasjet në protestë ka pasur edhe efektivë të lënduar.
Sipas saj, dhuna e përdorur nga protestuesit nuk mund të justifikohet, ndërsa shton se policia do të vijojë të jetë në krye të detyrës.
Koçiu ka ndarë dhe pamje të efektivëve të lënduar, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.
Reagimi i plotë:
E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit.
Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.
Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.
Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve./mxh
