Një raport i ri nga Shoqata Europiane për Studimin e Mëlçisë dhe revista shkencore “The Lancet” bën thirrje për masa të forta në Europë, përfshirë rritjen e ndjeshme të taksave mbi alkoolin dhe ushqimet e pashëndetshme.
Sipas ekspertëve, këto masa janë të nevojshme për të përballuar barrën në rritje dhe të paqëndrueshme të sëmundjeve të mëlçisë, të cilat shkaktojnë rreth 284,000 vdekje çdo vit në kontinent.
Raporti thekson se taksat duhet të rriten në një nivel që reflekton kostot reale që këto produkte i shkaktojnë shoqërisë, përfshirë shpenzimet në sistemin shëndetësor, drejtësinë penale dhe shërbimet sociale.
Ekspertët i bëjnë thirrje Bashkimi Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë që të nxisin qeveritë kombëtare të zbatojnë këto rekomandime, duke u bazuar në suksesin e politikave kundër duhanit gjatë dekadave të fundit.
Sipas të dhënave, rreth 215,000 njerëz në vit vdesin nga cirroza e mëlçisë dhe 69,400 nga kanceri i mëlçisë në Europë, që përbën rreth 3% të të gjitha humbjeve të jetëve në rajon.
Raporti identifikon katër faktorë kryesorë rreziku: konsumimin e alkoolit, dietat e pashëndetshme, obezitetin dhe hepatitin viral. Eliminimi i këtyre faktorëve mund të përgjysmojë rastet e sëmundjeve të mëlçisë dhe të ulë gjithashtu rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet dhe kancer.
Përveç taksave, ekspertët rekomandojnë vendosjen e paralajmërimeve shëndetësore në produktet alkoolike dhe ndalimin e reklamave që synojnë të rinjtë nën 18 vjeç.
Megjithatë, përfaqësues të industrisë së alkoolit kanë kundërshtuar këtë qasje, duke argumentuar se duhet të fokusohet më shumë në konsum të moderuar dhe ndërhyrje të synuara për ata që abuzojnë me alkoolin, në vend të rritjes së përgjithshme të taksave./ kb
