Dhjetëra ushtarakë e kanë cilësuar si një ekzekutim “makabër dhe barbar” vendimin e kreut të Pentagonit, Pete Hegseth, për të transmetuar drejtpërdrejt në internet pushkatimin e Nidal Hasan. Ata kanë kërkuar të mos përfshihen në këtë proces.
Organizata jofitimprurëse Military Religious Freedom Foundation ka bërë të ditur se kundërshtimet e ushtarëve bazohen në arsye fetare ose morale. “Ata që kanë kundërshtuar këtë vendim rrezikojnë tani të përfshihen mes 180 ushtarakëve të përzgjedhur për skuadrën e pushkatimit”, shpjegoi Mikey Weinstein, themeluesi i organizatës.
“Por një gjë është të zbatosh një urdhër ekzekutimi dhe krejt tjetër është ta transmetosh atë drejtpërdrejt në internet, duke u dhënë mundësinë ta shohë në kohë reale çdo fëmije të klasës së dytë që di të përdorë internetin”.
Hasan, ish-major i ushtrisë amerikane, vrau 13 ushtarë amerikanë dhe plagosi 52 persona të tjerë në vitin 2009, gjatë një sulmi në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, ku shërbente si psikiatër. Pas plagosjes nga policia në momentin e arrestimit, ai mbeti pjesërisht i paralizuar dhe i detyruar të përdorë karrige me rrota.
Nëse Hasan nuk do të paraqesë ankimim, ekzekutimi do të kryhet më 3 dhjetorin e ardhshëm. Ky do të ishte pushkatimi i parë i këtij lloji që nga viti 1945. Ndërkohë, ekzekutimi i fundit i një personi të dënuar me vdekje nga autoritetet ushtarake amerikane daton në vitin 1961, kur John Bennett u var për përdhunim dhe tentativë vrasjeje.Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se nuk do ta ndjekë transmetimin e drejtpërdrejtë. “Ky njeri kreu sulmin më të rëndë terrorist në territorin amerikan, pas atij të 11 shtatorit”, u shpreh ai. “Nëse në fund vendoset që ekzekutimi të transmetohet drejtpërdrejt, unë nuk do ta shikoj”.
Vendimi për ta transmetuar ekzekutimin në internet është dënuar tashmë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si një veprim që mund të përbëjë një formë torture. Një praktikë e tillë do t’i vendoste Shtetet e Bashkuara në të njëjtin nivel me vende që Uashingtoni i akuzon për shkelje të të drejtave të njeriut, si Irani./k.m
