Qarku i Elbasanit po përballet me temperatura të ulëta, sidomos në zonat malore, ku termometri ka zbritur edhe nën –10°C. Në disa rrugë malore, temperaturat kanë arritur deri në –15°C, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë vazhdimisht për të siguruar qarkullimin e mjeteve.
Rruga Elbasan–Qafë Thanë ka pësuar reshje dëbore, por pastrimi dhe kriposja e saj e kanë mbajtur të hapur për qarkullim. Ndërkohë, në akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë nuk ka pasur dëborë, por punimet për të parandaluar ngricat vijojnë.
Sa i përket lumenjve, prurjet e Shkumbinit dhe përroit të Zaranikës janë në rënie dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje. Shkarkimet nga HEC-i i Banjës vazhdojnë në nivele të kontrolluara, ndërsa autoritetet pritet të vendosin për vazhdimësinë e tyre gjatë mëngjesit.
Probleme ka edhe në furnizimin me energji elektrike në Tunjë, si dhe në zonat Kushovë dhe Skënderbegas të Bashkisë Gramsh, por ekipet janë në terren dhe punojnë për riparimin e defekteve./K.M
