Katari ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner ndodhen në Doha për takime me zyrtarët dhe ndërmjetësit katarianë, në kuadër të diskutimeve mbi zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, sqaroi se vizita nuk përfshin negociata të drejtpërdrejta me përfaqësues iranianë.
Sipas tij, në fokus të bisedimeve janë negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si edhe çështje të tjera rajonale, përfshirë situatën në Liban.
Al-Ansari deklaroi se aktualisht nuk pritet mbërritja e zyrtarëve të lartë iranianë në Doha, megjithëse takimet teknike mes palëve vazhdojnë pa ndërprerje që prej zhvillimit të tyre në Lucernë.
Lidhur me situatën e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, Katari ritheksoi mbështetjen për lirinë e lundrimit, duke e cilësuar atë një rrugë ujore ndërkombëtare që duhet të mbetet e hapur dhe pa pengesa.
Autoritetet në Doha bënë të ditur gjithashtu se janë në koordinim të vazhdueshëm me vendet e rajonit, veçanërisht me Omanin, për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve në këtë zonë strategjike.
Sa i përket fondit prej 6 miliardë dollarësh të aseteve të ngrira iraniane, Katari mohoi se këto para i janë transferuar Teheranit. Sipas Al-Ansarit, fondet administrohen në kuadër të një marrëveshjeje të arritur në vitin 2023 mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe mund të përdoren vetëm për blerje me qëllime humanitare. Katari, theksoi ai, vepron vetëm si ndërmjetës financiar dhe nuk është pronar i këtyre fondeve.
Zëdhënësi konfirmoi gjithashtu se ekziston një kanal komunikimi për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve në rajon, i cili ka qenë aktiv gjatë ditëve të fundit dhe vazhdon të funksionojë./mxh
