Aktorja Emma Roberts dhe i fejuari i saj, Cody John, pritet të kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni private, që do të zhvillohet në Idaho, në praninë e familjarëve dhe miqve më të afërt.
Sipas Page Six, dasma do të mbahet këtë fundjavë, ndërsa TMZ raporton se ceremonia do të organizohet në pronën familjare të dhëndrit, me një numër të kufizuar të ftuarish.
Dyshja e bëri publike lidhjen e tyre në vitin 2022, kur ai publikoi në Instagram një fotografi të përbashkët. Sipas E! News, ata u njohën përmes miqve të përbashkët. Një burim deklaroi atëherë se Emma e vlerëson shumë personalitetin e Cody-t, duke e përshkruar si një person me humor, me të cilin kalon gjithmonë momente të bukura.
I njëjti burim kishte theksuar se çifti e ndërtoi marrëdhënien gradualisht, kryesisht për shkak të djalit të aktores, Rhodes, tashmë 5 vjeç, të cilin ajo e ka nga lidhja e mëparshme me aktorin Garrett Hedlund.
Në korrik të vitit 2024, çifti njoftoi fejesën përmes Instagramit. Roberts publikoi një foto ku shfaqte unazën e fejesës, duke shkruar me humor: “Po e postoj këtu para se ta tregojë mamaja ime të gjithëve.”
Më herët, Roberts ishte në një lidhje me Garrett Hedlund, me të cilin u nda në vitin 2021, pas gati tre vitesh së bashku. Ata u bënë prindër të djalit të tyre në dhjetor të vitit 2020 dhe, sipas një burimi të People, vazhdojnë të ruajnë një marrëdhënie të mirë si prindër, edhe pse kjo nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.
Aktorja ka qenë gjithashtu e fejuar me kolegun e saj në serialin American Horror Story, Evan Peters. Marrëdhënia e tyre u karakterizua nga disa ndarje dhe ribashkime, derisa i dhanë fund përfundimisht në vitin 2019./mxh
