Anisa Veseli ka vendosur të ndajë me publikun një anë të panjohur të historisë së saj me muzikën, duke treguar se çfarë e çoi drejt një vendimi që dikur dukej i pamendueshëm për të: largimin nga skena muzikore.
Përmes një videoje në Instagram, ajo ka rrëfyer se ky hap nuk kishte lidhje me komentet negative, paragjykimet apo kritikat për zërin e saj. Sipas Anisës, arsyeja ishte shumë më e thellë dhe lidhej me përvojat që kishte kaluar brenda industrisë së muzikës.
“Është një industri tepër e errët, edhe unë e kam humbur veten kur kam qenë në atë fazë”, tha ajo, duke pranuar se ajo periudhë e kishte larguar nga vetja dhe nga qetësia që kërkonte.
Këngëtarja tregoi se kishte ardhur një moment kur nuk e njihte më veten dhe nuk arrinte të kuptonte se çfarë e bënte vërtet të lumtur. Sot, ajo e sheh ndryshe suksesin dhe vlerën e tij, duke vënë mirëqenien shpirtërore mbi përfitimet financiare.
“Më mirë me fitu më pak edhe me qenë më e lumtur shpirtërisht, se me fitu shumë pare edhe mos me ditë se kush je ti”, u shpreh Anisa.
Muzika kishte qenë një dëshirë e hershme për të, por realiteti i këtij rrugëtimi nuk përputhej me ëndrrat që kishte ndërtuar. Ajo ndiente se nuk po arrinte të shprehte artistin që kishte brenda dhe as të realizonte projektet muzikore që i kishte imagjinuar.
Edhe pse largimi mbetet një vendim që e prek emocionalisht, Anisa thotë se nuk është penduar. Përkundrazi, ka gjetur një ekuilibër të ri dhe ndihet më e lumtur në rrugën që ka zgjedhur.
Gjatë rrëfimit, ajo ndau edhe disa pjesë nga këngë që nuk janë publikuar asnjëherë dhe që mund të mbeten të tilla. Mes tyre përmendi “Dashnia hipokrite” dhe “Kënga e vetmisë”, dy projekte që i kishte realizuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm emocional.
Anisa tregoi se ishte përfshirë aq shumë në këto këngë, sa përjetimi i tyre kishte ndikuar edhe në shëndetin e saj.
“Jam sëmurë aq shumë, e kam marrë afër zemrës”, kujtoi ajo.
Në fund, ajo ndau edhe një mesazh për ata që ndodhen përballë zgjedhjeve të vështira në ndjekje të ëndrrave të tyre. Sipas Anisës, asnjë synim nuk duhet të vijë në kurriz të lumturisë dhe shëndetit personal.
“Zoti ta mshel një derë, po ta çel një tjetër. Mos e harro kurrë këtë send”, përfundoi ajo, duke treguar se ndonjëherë largimi nga ajo që ke ëndërruar është pikërisht ajo që të ndihmon të gjesh veten./mxh
