Last Updated on 04/10/2025 by adminfjala
Dekretimi i zgjedhjeve të parakohshme në 6 bashkitë e vendit, përfshirë dhe atë të Tiranës, ka nxitur një debat institucional e politik mbi respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë nga ana e presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Ky i fundit pranoi shkresën e vakancës të dërguar nga kryeministria dhe firmosi dekretimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 9 nëntor, përfshirë dhe në atë të Tiranës, dhe pre kryebashkiaku Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe në një intervistë për TemA, edhe pse shkak për këtë rrjedhë ngjarjesh mund të jetë bërë interesi i qytetarëve të Tiranës, ai thotë se “duhet zbatuar vendimi i gjykatës”.
“Duhet zbatuar vendimi i gjykatës. Ka kohë akoma për tu zbatuar vendimi. Dhe në këtë rast dua të besoj që ka prevaluar interesi kryeqytetit, as ai politik dhe elektoral.
Dhe këtë gjë nuk do ta vendosja mbi vendimin e gjykatës. Duhet ta respektojmë të gjithë. Unë nuk kam interes të bëhem kryetar bashkie se nuk i përmbush kriteret. Jam një njeri pa interesa personale në këtë rast. Erioni, është një koleg që ka bërë beteja me ne”, tha Braçe.
Kjo çështje për Braçen duhet të ishte trajtuar fillimisht brenda strukturave të Partisë Socialiste e më pas të ishin bashkuar ‘forcat’ me kundërshtarët. Sipas socialistit, kjo nuk ishte një formë e të trajtuarit një individ me respekt dhe dinjitet.
“Duhet të ishte një çështje që të diskutohej brenda Partisë Socialiste, nuk ishte një çështje që duhej diskutuar me kontributin e gjithë kundërshtarëve apo armiqve – apo quajini si të doni… Në të tilla raste vlen shumë dinjiteti… ta trajtosh njeriun me dinjitet, edhe kur kërkon ta çosh para trupës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, edhe kur kërkon ta largosh, duhet ta trajtosh me dinjitet…”, tha ndër të tjera Erion Braçe. m.p.
