Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur hapur për tensionet dhe përplasjet brenda selisë rozë, duke pranuar se në PS ekziston një luftë e brendshme dhe se, sipas tij, ka individë që synojnë ta eliminojnë politikisht.
I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, Braçe u ndal te publikimi i mesazheve të tij nga komunikimet e brendshme të grupit parlamentar, duke e cilësuar këtë si një përpjekje të qëllimshme për ta dëmtuar.
Braçe: I nxjerrin mesazhet sepse kanë qëllim të më poshtërojnë, tamam për të më poshtëruar. Për mua është shumë e rëndë. Edhe ajo që ka dalë nga mbledhja e grupit, pavarësisht se është transformuar dhe hedhur në atë formë në publik. ‘I tha ik pirdhu’. Nuk është kështu. Është ta nxjerrësh për ta vrarë tjetrin politikisht. Ai që e ka nxjerrë këtë kërkon të të largojë nga fusha e brendshme e Grupit Parlamentar një njeri që e sheh aty prej vitesh, që e konsideron konkurrent dhe e ka problem. Unë s’kam problem me qenien e atij. Unë i konsideroj ata kolegë.”
Mëhilli: Mund të jetë Edi Rama?
Braçe: Jo, nuk është. Këtu jemi për t’i thënë gjërat lirisht. Kishte ndodhur gati 46 ditë më parë, kur u goditën gra deputete me vezë. Edhe kam shkruar në grup që të thirrej policia. Edhe shkrova për gratë. Edhe atë mesazh e nxorën në media. Natyrisht, me interpretimet e duhura se policinë e kërkoi ky. Nuk është vetëm ndaj meje kjo sjellje. E kanë pësuar edhe të tjerë si unë dhe guxojnë ta bëjnë. Edhe këto interpretohen si përpjekje për eliminim. Ja, kjo më bën të them se ka luftë të brendshme në PS.
