Këngëtari dhe kantautori shqiptar Ermal Meta është rikthyer në skenën e Festivalit të Sanremos 2026 me këngën Stella Stellina, një baladë e fuqishme me mesazh human dhe politik që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe kritikës.
Kënga, e frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij, i kushtohet një fëmije nga Gaza dhe trajton tragjedinë e viktimave të pafajshme të luftës. Meta e ka përshkruar si “një këngë rezistence dhe shprese, pavarësisht gjithçkaje”. Çdo mbrëmje në skenë ai mban të qëndisur në jakë emrin e një vajze simbol i “bijave të të gjithëve” dhe “bijave të askujt” që lufta u ka marrë jetën.
Produksioni muzikor është realizuar në bashkëpunim me producentin dhe kompozitorin Dardust, i cili ka sjellë edhe elemente të muzikës së Lindjes së Mesme, përfshirë përdorimin e instrumenteve si oud, duke e bërë atmosferën e këngës edhe më emocionale.
Kritiku i muzikës Fabrizio Basso nga Sky TG24 e ka cilësuar këngën si “një lutje laike nga breviar i njerëzimit”, duke i dhënë një vlerësim mes 8 dhe 9 pikësh. Edhe pse jo menjëherë e kapshme si disa këngë të tjera në garë, “Stella Stellina” konsiderohet një nga propozimet më të forta artistikisht të këtij edicioni.
Teksti i këngës: Stella Stellina / Ylli i Vogël
Po afrohet nata
Një lutje nuk mjafton
Që të mos mendojmë më për të
Nga kodra presim pranverën
Por ajo që ishte, nuk është më
Ti nuk je më këtu
Gjeta kukullën tënde
Mendoja se të shihja përsëri
Ti ishe kaq e vogël
E mbanin deri në mbrëmje
Një përjetësi ka kaluar
Ose vetëm një orë
Që nga një re në qiell
Ngrihet nga shtëpia jote
Nga shtëpia ime
Ylli i vogël
Po afrohet nata
Një lutje nuk mjafton
Që të mos mendojmë më për të
Nga kodra presim pranverën
Por ajo që ishte, nuk është më
Ti nuk je më këtu
U përpoqa të nxirrja zemrën time
Sepse pa të ti nuk vdes
Por kisha frikë ndërkohë
Të mos ndjeja më asgjë
Mendoja edhe të ikja
Nga një tokë që nuk na do
Por nuk di ku të shkoj
Mes mureve dhe detit nuk mund të qëndroj
Ylli i vogël
Po afrohet nata
Një lutje nuk mjafton
Që të mos mendojmë më për të
Nga kodra presim pranverën
Por ajo që ishte, nuk është më
Ti nuk je më këtu
Lule në një oborr me gurë rreth
Si flutura, ti je jetuar një ditë
Bijë e askujt, melodi e një kënge
Atë të njerëzve që të deshën shumë
O vajza ime e vogël, nata është zi zi
Hurma dhe lutja nuk do të mjaftojnë më
Nga kodra do të vijë pranvera
Në erën e mbrëmjes do të jesh edhe ti aty
Ylli i vogël
Po afrohet nata
Një lutje nuk mjafton
Që të mos mendojmë më për të
Nga kodra do të vijë pranvera
Në erën e mbrëmjes do të jesh edhe ti aty
Nuk të kam harruar
Pres kthimin tënd
Si flutura
Ti jetove vetëm një ditë
Më 27 shkurt, Meta do të publikojë albumin e ri Funziona Vitali, për të cilin thotë se është projekti që i ka dhënë më shumë, por edhe i ka marrë shumë emocionalisht. Në mbrëmjen e cover-eve, ai do të performojë bashkë me Dardust këngën Golden Hour.
Kjo është pjesëmarrja e gjashtë e Ermal Metës në festival. Ai ka konkurruar më parë me këngë si “Vietato morire”, “Un milione di cose da dirti” dhe fituesen e vitit 2018 “Non mi avete fatto niente”, në duet me Fabrizio Moro. Pas asaj fitoreje, dyshja përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest, ku u rendit në vendin e pestë.
Meta ka theksuar se vendosi ta sillte këtë këngë në festival sepse “është koha të flasim edhe për fëmijët e të tjerëve”, duke shtuar se historia nuk i përket vetëm popullit palestinez, por mund të pasqyrojë tragjedi të shumta në mbarë botën.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, nëse do të fitojë dhe do të shkojë në Eurovision, nuk do të ndryshojë tekstin: “Kjo është një këngë njerëzore jo politike, por për brutalitetin e qenies njerëzore.”
Me një mesazh të fortë, një interpretim emocional dhe një produksion të rafinuar, “Stella Stellina” pritet të mbetet një nga momentet më të diskutueshme dhe domethënëse të Sanremos 2026./mxh
