Last Updated on 04/08/2026 by EL
Në një moment të jetës së tyre, të gjitha bletët përballen me një zgjedhje të rëndësishme: të qëndrojnë në zgjua për të ndihmuar mbretëreshën në rritjen e kolonisë apo të largohen për të krijuar një koloni të re. Sipas një studimi të publikuar në Proceedings of the Royal Society B, kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme, por udhëhiqet nga vetë mbretëresha përmes sinjaleve kimike. Hulumtimi u përqendrua te Megalopta genalis, një specie e familjes Halictidae, të njohura edhe si “bletët e djersës”, pasi tërhiqen nga djersa e njeriut. Studiuesit e Smithsonian Tropical Research Institute i vëzhguan për vite me radhë në ishullin Barro Colorado, në Kanalin e Panamasë, duke përdorur fole artificiale të pajisura me kamera për të ndjekur sjelljen e tyre. Çdo bletë u identifikua veçmas dhe studiuesit analizuan momentin kur ajo vendoste të largohej nga foleja, të qëndronte pranë nënës ose madje të përpiqej të zinte vendin e saj si mbretëreshë.
Analizat kimike zbuluan se mbretëreshat prodhojnë feromone që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë vendim. Gjatë zhvillimit të bletëve punëtore, këto substanca pengojnë zhvillimin e organeve riprodhuese të tyre dhe, njëkohësisht, shërbejnë si një tregues i gjendjes shëndetësore dhe riprodhuese të mbretëreshës.
Sa më i lartë të jetë niveli i feromoneve, aq më shumë gjasa ka që bletët punëtore të qëndrojnë në zgjua për ta ndihmuar. Kur prodhimi i tyre bie, kjo është një shenjë se mbretëresha po humbet aftësinë riprodhuese dhe u “komunikon” të bijave se ka ardhur koha të largohen e të krijojnë kolonitë e tyre. Sipas autorëve të studimit, ky mekanizëm nuk është unik vetëm për bletët. Komunikimi përmes sinjaleve kimike është i përhapur në botën shtazore dhe luan një rol vendimtar në përcaktimin nëse bashkëpunimi mbetet strategjia më e mirë apo nëse ka ardhur momenti për të nisur një jetë të pavarur.
