**
Që nga kjo e diel, kompanitë që krijojnë ose përdorin përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) duhet ta etiketojnë qartë atë, sipas rregullave të reja të Bashkimit Evropian për transparencën.
Qëllimi është që qytetarët të kuptojnë menjëherë nëse një tekst, foto, video apo material tjetër që shohin në internet është krijuar nga një njeri apo nga inteligjenca artificiale. Sipas udhëzimeve të reja, sistemet e AI-së si chatbot-et duhet të identifikohen qartë si të tilla, ndërsa imazhet, videot dhe tekstet e krijuara me AI duhet të mbajnë etiketa ose shenja identifikuese, si watermark-e apo forma të tjera që lehtësojnë zbulimin e tyre. Kompanitë që nuk respektojnë këto rregulla rrezikojnë gjoba të larta.
Rregullorja kërkon gjithashtu që përdoruesit të informohen kur ekspozohen ndaj:
• sistemeve të njohjes së emocioneve dhe kategorizimit biometrik;
• përmbajtjeve të tipit deepfake;
• teksteve mbi çështje me interes publik të krijuara nga AI pa mbikëqyrje apo redaktim njerëzor.
BE-ja shpreh shqetësim të veçantë për përhapjen e deepfake-ve, pasi inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjes reale dhe asaj të krijuar artificialisht. Sipas zyrtarëve evropianë, rregullat synojnë të ruajnë besimin e qytetarëve në atë që shohin, dëgjojnë dhe lexojnë. Detyrimi zbatohet për përmbajtjen e krijuar për qëllime profesionale, ndërsa përdorimi personal i AI-së nuk preket nga këto rregulla. Sistemet ekzistuese të inteligjencës artificiale kanë afat deri më 2 dhjetor 2026 për t’u përshtatur, ndërsa përjashtohen veprat artistike, krijuese, satirike dhe fiktive. Rregullat e reja kanë ngjallur debat mes kompanive të teknologjisë, të cilat paralajmërojnë se zbatimi i tyre mund të jetë i ndërlikuar. Megjithatë, disa prej tyre kanë nisur tashmë etiketimin e përmbajtjeve të krijuara me AI. TikTok kërkon prej vitesh që krijuesit të etiketojnë imazhet, videot dhe audiot e gjeneruara nga AI, ndërsa Meta përdor etiketën “AI Info” në Facebook dhe Instagram. Edhe Google ka nënshkruar kodin evropian të transparencës për AI dhe po punon me kompani si Nvidia, OpenAI dhe Apple për zhvillimin e mjeteve të etiketimit digjital./FC
