Temperaturat e pazakonta për fundin e pranverës kanë përfshirë Spanjën dhe një pjesë të madhe të Europës Perëndimore, ndërsa autoritetet meteorologjike paralajmërojnë për një verë edhe më të nxehtë dhe me rrezik të lartë zjarresh.
Agjencia Kombëtare e Motit në Spanjë, AEMET, bëri të ditur se vendi po përjeton temperatura tipike të muajve korrik dhe gusht, edhe pse zyrtarisht nuk mund të konsiderohet ende valë e të nxehtit.
Zëdhënësi i agjencisë, Ruben del Campo, deklaroi se në disa zona temperaturat kanë arritur deri në 37 gradë Celsius, ndërsa netët kanë mbetur jashtëzakonisht të ngrohta. Në qytete si Santander dhe San Sebastian, temperaturat gjatë natës nuk kanë zbritur nën 24 gradë Celsius.
Në Madrid, turistët janë përpjekur të mbrohen nga vapa duke përdorur çadra kundër diellit, duke kërkuar hije pranë ndërtesave dhe duke u freskuar pranë shatërvanëve në qendër të qytetit.
Sipas meteorologëve, temperaturat e larta nuk po prekin vetëm Spanjën. Portugalia ka regjistruar deri në 39 gradë Celsius, Franca mbi 33 gradë, ndërsa në Britaninë e Madhe është shënuar për herë të parë në histori temperatura 35 gradë Celsius.
AEMET paralajmëron se vera e këtij viti pritet të jetë sërish mbi mesataren normale, me mundësi për valë ekstreme të të nxehtit. Autoritetet theksojnë gjithashtu se reshjet e shumta në fillim të vitit kanë shtuar bimësinë në pyje, e cila me temperaturat e larta mund të thahet shpejt dhe të rrisë ndjeshëm rrezikun e zjarreve masive gjatë muajve të verës./mxh
