Një dalje e fundit e Justin Bieber në Universal Studios Hollywood ka nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale, pasi fansat e tij, ndonëse e kanë njohur, kanë zgjedhur të mos i afrohen apo ta shqetësojnë gjatë lëvizjes së tij në park.
Sipas raportimeve, këngëtari Justin Bieber është parë duke kaluar kohë në mënyrë të qetë, duke ecur me biçikletë, ndërsa vizitorët përreth kanë preferuar të ruajnë distancën dhe të respektojnë privatësinë e tij.
Ky reagim ka hapur diskutime në rrjet, disa përdorues e kanë vlerësuar sjelljen e fansave si shenjë respekti për hapësirën personale të artistit, ndërsa të tjerë kanë theksuar se mungesa e ndërveprimit tregon një ndryshim në raportin mes yjeve dhe publikut.
Bieber prej vitesh ka vendosur kufij të qartë me fansat në publik, duke deklaruar se nuk dëshiron më fotografi të papritura, pasi shpesh është ndjerë nën presionin e vazhdueshëm të vëmendjes. Kjo qasje ka ndikuar në mënyrën se si ai shfaqet sot në jetën e përditshme, më i tërhequr dhe më i fokusuar në privatësi.
Në vitet e fundit, artisti ka reduktuar ndjeshëm daljet publike dhe aktivitetet muzikore, për shkak edhe të problemeve shëndetësore, duke u shfaqur vetëm në raste të veçanta, ndërsa fansat vazhdojnë të spekulojnë për një rikthim të mundshëm në skenë në të ardhmen./mxh
