Fondi i sigurimit të depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK) u rrit me 13% vitin e kaluar. Sipas informacionit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) ky fond arriti vlerën e 291 milionë lekëve ose rreth 3.1 milionë eurove.
Të ardhurat kryesore që kontribuojnë në rritjen e fondit të sigurimit të depozitave në SHKK janë të ardhurat nga primi i sigurimit dhe të ardhurat nga investimi i mjeteve financiare.
Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin 2025 arritën në rreth 24.6 milionë lekë, 4.9% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa të ardhurat nga investimi i fondit të akumuluar ishin 9.7 milionë lekë, në rënie me 11% krahasuar me një vit më parë.
Tashmë, raporti i mbulimit të depozitave të siguruara në SHKK prej fondit të administruar nga ASD ka arritur në 3.43%, nga 3.19% që kishte qenë një vit më parë.
Raporti i mbulimit është ndjeshëm më i ulët krahasuar me atë të depozitave në banka, që në fund të vitit 2025 arriti në 7.83%. Megjithatë, skema e sigurimit të depozitave në SHKK është më e re në kohë.
Ngritja e këtij fondi nisi në vitin 2015, me ndryshimet e ligjit “Për sigurimin e depozitave”, që përfshinë edhe SHKK-të në skemën e sigurimit të depozitave, deri në 2 milionë lekë për çdo depozitues. Në janar të vitit 2015, u arkëtua nga Buxheti i Shtetit fondi themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK në vlerë 76 milionë lekë, që siguroi bazën fillestare financiare të ngritjes së fondit të sigurimit të depozitave në SHKK.
Duke nisur nga viti 2015 e në vazhdim, ASD ka administruar mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK. Megjithatë, SHKK-të e para hynë në skemë vetëm në fillim të vitit 2017, për shkak të kohës së nevojshme për përmbushjen e kritereve ligjore për përfshirjen në të. Sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të ASD-së. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së.
Aktualisht, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave.
Shoqëritë e kursim-kreditit janë institucione të lejuara me ligj të pranojnë depozita nga anëtarët dhe të ofrojnë kredi për ta. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Ato janë një segment i mikrofinancës veçanërisht i suksesshëm në zonat rurale të vendit, me fokus kryesor financimin e ekonomive bujqësore.
Përfshirja në skemën e sigurimit të depozitave vlerësohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në rritjen e sektorit të SHKK-ve në vitet e fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të vitit arriti vlerën e 19.4 miliardë lekëve ose afërsisht 200 milionë eurove. Vlera e aktiveve të tregut është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, madhësia e këtij sektori ngelet modeste në raport me segmentet e tjera të tregut financiar dhe kryesisht me sektorin bankar.
Asetet e SHKK-ve përbëjnë afërsisht 0.85% të totalit të aktiveve të sistemit bankar në vend. Aktivet e këtij sektori dominohen kryesisht nga huatë e dhëna për anëtarët. (Marrë nga Monitor)/kb
