Qeveria shqiptare ka miratuar së fundmi një ndryshim në mënyrën sesi do të kompensohen familjet dhe bizneset që prodhojnë energji nga panelet diellore për vetëkonsum.
Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave parashikon kalimin nga skema aktuale “net metering” tek modeli “net billing”, duke nisur nga 1 janari 2027.
Vendimi miraton rregullat dhe procedurat për lidhjen në rrjet të vetëprodhuesve të energjisë së rinovueshme, si edhe skemën e kompensimit të tyre. Teksti i plotë teknik ende nuk është publikuar me detaje, por informacionet paraprake dhe shpjegimet e dhëna nga zyrtarë të sektorit tregojnë se ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e llogaritjes së energjisë së prodhuar dhe konsumuar.
Aktualisht, në vend përdoret sistemi “net metering”, ku energjia e prodhuar nga panelet diellore dhe e injektuar në rrjet zbritet në mënyrë direkte nga energjia e konsumuar. Në praktikë, abonenti kompensohet me të njëjtën sasi kilovatësh/orë (kWh) që ka dorëzuar në rrjet.
Me modelin e ri “net billing”, kompensimi nuk do të bëhet më mbi bazën e kilovatëve, por mbi vlerën financiare të energjisë. Sipas formulës së re, energjia e konsumuar nga rrjeti do të llogaritet me çmimin e furnizimit për abonentin, ndërsa energjia e prodhuar dhe e dorëzuar në rrjet do të shumëzohet me një tarifë tjetër, e cila pritet të miratohet nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Në fund të periudhës së faturimit, diferenca mes këtyre dy vlerave do të pasqyrohet në faturën mujore. Në rastet kur energjia e prodhuar ka vlerë më të lartë se ajo e konsumuar, abonenti nuk do të paguhet cash, por do të krijojë një kredit në lekë që do të përdoret në muajt pasardhës.
Mbetet për tu parë sa leverdishme do të jetë kjo skemë pasi nga skema aktuale “1 me 1” zëvendësohet me një model ku çmimi i energjisë së shitur në rrjet mund të jetë më i ulët se çmimi i energjisë së blerë nga konsumatori.
Në vijim pritet që detajet kryesore të përcaktohen nga ERE, veçanërisht niveli i tarifës me të cilën do të kompensohet energjia e injektuar në rrjet. Ky element pritet të jetë vendimtar për kthimin e investimit të familjeve dhe bizneseve që kanë instaluar ose planifikojnë të instalojnë panele fotovoltaike. Kalimi i vendit në “net billing” shihet gjithashtu si pjesë e përafrimit të kuadrit ligjor shqiptar me praktikat europiane në sektorin e energjisë.
Në shumicën e vendeve të Europës, kompensimi i vetëprodhuesve bëhet mbi bazë financiare dhe jo më me shkëmbim të drejtpërdrejtë kWh me kWh. Për Shqipërinë, ky ndryshim konsiderohet një element i rëndësishëm në harmonizimin e legjislacionit me acquis të BE-së në energji, në kuadër të procesit të çeljes dhe avancimit të negociatave të anëtarësimit./Monitor /kb
