Last Updated on 08/07/2026 by EL
Eurodeputeti Fredi Beleri, nga Parlamenti Europian ka deklaruar se Shqipëria po përballet me probleme serioze sa i takon shtetit të së drejtës.
Komentet Beleri i bëri nga Komitetit Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, në Parlamentin Europian, ku tha se vendi ynë ka probleme serioze në fushën e drejtësisë dhe të zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Beleri tha se ka gjyqtarë në Shqipëri që kanë çështje penale të hapura në vendet fqinje (duke nënkuptuar gjyqtaren Irena Gjoka). Sipas Belerit, kryedemokrati Sali Berisha dhe ish-Presidenti Ilir Meta janë përballur gjithashtu me ato që ai i cilësoi si padrejtësi të sistemit të drejtëisë.
“Shteti i së drejtës. Kur miratojmë ligje, është e rëndësishme gjithashtu që të shikojmë që ka edhe probleme të rënda edhe gjetkë. Ne shohim që autoritetet po hasen me këto probleme. Shohim probleme në fushën e Drejtësisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore. Shohim vështirësi në zbatimin e vendimeve gjyqësore. Ne kemi një reformë në sektorin e Drejtësisë në Shqipëri dhe procesin e vettingut. Por edhe procedura e vettingut në vetëvete ka pasur pika të dobëta. Si pjesë e procesit ka pasur gjyqtarë të ndryshëm që janë përjashtuar nga procesi. Po ashtu ka edhe gjyqtarë të tjerë që kanë procese ligjore të hapura kundër tyre në shtete të tjera të BE-së. Ish-Presidenti i vendit duket se është prekur nga ky proces”, tha mes të tjerash Beleri.
Më tej Beleri shtoi se në Shqipëri nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm të trajtuar apo përfunduar nga Gjykata, gjatë 12 viteve të fundit.
Sipas Belerit, grupet kriminale po lulëzojnë në Shqipëri dhe po marrin toka me vendim të kryeministrit Edi Rama, për ndërtimin e resorteve luksoze.
Për Belerin, Shqipëria nuk është gati për t’u integruar në BE. Ata që thonë se ‘Shqipëria është gati për anëtarësim në BE’, sipas Belerit kanë një imazh të gabuar të situatës.
“Është vërtetë një problem serioz ky, nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm që është trajtuar apo përfunduar nga Gjykata. Kjo është situata gjatë 12 viteve të fundit. Nuk ka vendime të përfunduara nga Gjykata. Ka një organizim kriminal, pra kemi organizata kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Kanë përdorur sipërfaqe toke që janë dhënë nga kryeministri. Kështu që si mund të punojmë vërtetë ne kundër krimit të organizuar, me gjithë këto zhvillime. Ne kemi 6 mijë persona që janë në burg. Janë persona që kanë vdekur dhe nuk e dimë ku janë varrosur. Sa i takon ndarjes së pushteteve, nëse nuk ka gjyqësor të pavarur, s’ka shtet të së drejtës dhe as integrim në BE. Disa thonë që Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar. Këta persona ose nuk e shohin situatën siç është aktualisht, ose kanë një imazh të gabuar të situatës”, theksoi Beleri./ET
