Last Updated on 19/05/2026 by Anisa
Subjektet politike në Shqipëri vijojnë të shmangin procesin e verifikimit të figurës së kandidatëve, pavarësisht detyrimeve që burojnë nga ligji për hapjen e dosjeve dhe transparencën në jetën publike.
Raporti i fundit i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit tregon se gjatë vitit 2025 vetëm 6 kandidatë kërkuan verifikim me iniciativë personale, megjithëse institucioni kishte njoftuar zyrtarisht 53 subjekte politike.
“Bashkëpunimi me subjektet politike mbetet një sfidë e hapur. Pavarësisht njoftimit zyrtar drejtuar 53 subjekteve politike, vetëm 6 kandidatë paraqitën kërkesë për verifikim me iniciativë personale”, thuhet në raport. Sipas institucionit, “kjo mungesë angazhimi vijon të ndikojë në zbatimin e nenit 30 të ligjit nr. 45/2015 dhe cenon standardet e transparencës në proceset zgjedhore”.
Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 u verifikuan gjithsej 242 kandidatë për poste publike, tituj nderi, dekorime apo emërtime të hapësirave publike. Nga këta, 15 rezultuan me gjetje në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti thekson se procesi i verifikimit është zgjeruar krahasuar me një vit më parë. “Krahasuar me vitin 2024, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të kërkesave, nga 82 në 128, ndërsa numri i kandidatëve të verifikuar mbetet në nivele të përafërta”, nënvizon raporti.
Pesha kryesore e kërkesave vijon të vijë nga pushteti vendor. Sipas dokumentit, “42 kërkesa, ose 30% e totalit, vijnë nga 22 bashki”, duke reflektuar një angazhim më të lartë të institucioneve lokale në krahasim me subjektet politike.
Nga 15 rastet me gjetje, 12 lidhen me kandidatë të propozuar nga bashkitë për tituj nderi, dekorime apo emërtime të hapësirave publike. Në total, 115 nga 242 kandidatët e verifikuar, ose 48%, ishin propozuar pikërisht për këto forma vlerësimi publik.
Autoriteti bëri me dije se gjatë vitit 2025 ka shpërndarë edhe një “Udhëzues për Pushtetin Vendor”, me synimin për të standardizuar procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e figurës. Sipas raportit, ky instrument “ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e bashkëpunimit me bashkitë, ka rritur numrin e kërkesave të sakta dhe ka ndihmuar në zbatimin korrekt të kërkesave ligjore”./monitor-A.D
