Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka zhvilluar një konferencë për mediat lidhur me ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump që Shqipëria t’i bashkohet “Bordit të Paqes” për Gazën.
Spiropali tha se ndërsa Shqipëria mori këtë ftesë nga aleati i saj më i madh, opinioni publik u sulmua nga brenda me ato që ajo i quajti fantazi të opozitës.
“Ndërkohë që Shqipëria ftohet si një bashkëndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar që synon paqen e qëndrueshme në botë, opinion publik shqiptar sulmohet nga brenda më fantazi të kundërshtarëve të kësaj qeverie. Periferia e skenës tonë politike ndizet a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo se u ftua me nder. Aftësia për ti kontribuar paqes dhe sigurisë, çka Shqipërisë ja çmojnë prej vitesh, në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj lloj tregimesh që do paguakemi për bordin, me palestinezë që do sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës në Bordin e Paqes. Tamam kur kjo ftesë e Trump për kryeministrin konfirmon besimin e ndërsjellë në partneritetin strategjik SHBA-Shqipëri, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit a thua së në tryezë do të ulet Shqipëria e një partie dhe jo Shqipëria e gjithë shqiptarëve. Shqipëria po vlerësohet si një aleate e çmuar nga aleati i saj i madh, SHBA. Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike u turrën të helmojnë publikun, e morën përgjigjen direkt nga presidenti Trump, i cili ka nënshkruar se Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, u shpreh Spiropali. /Kb
