Dua Lipa ka përmbyllur zyrtarisht turneun e saj “Radical Optimism” me një koncert spektakolar në Meksikë, duke i dhënë fund një prej kapitujve më të suksesshëm të karrierës së saj.
Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare elektrizoi skenën para mijëra fansave, ndërsa pas performancës ndau në rrjetet sociale momente emocionuese nga koncerti dhe prapaskenat me ekipin që e shoqëroi përgjatë gjithë turit.
Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja njoftoi se filmi i koncertit me titull “Live From Mexico” është tashmë i disponueshëm në YouTube, ndërsa albumi live publikohet në të gjitha platformat muzikore në mesnatë.
Në mesazhin e saj, Dua Lipa u shpreh tepër e prekur nga përfundimi i këtij rrugëtimi artistik.
“Dy nga vitet më të veçanta të jetës sime u mblodhën në vetëm dy orë. Është fundi i një epoke që do ta mbaj gjithmonë në zemër. Shpresoj që kushdo që e sheh apo e dëgjon këtë projekt të ndjejë gjithë emocionin, energjinë, sakrificën dhe dashurinë që kemi ndarë gjatë këtij turi,” shkroi ajo.
Artistja falënderoi fansat për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se “Radical Optimism” do të mbetet një kujtim i paharrueshëm për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij udhëtimi.
Turneu rezultoi një sukses i madh global, duke konfirmuar edhe një herë statusin e Dua Lipës si një prej emrave më të fuqishëm të muzikës pop në arenën ndërkombëtare. Pas këtij finalizimi, fansat tashmë presin me padurim projektet e reja që artistja pritet të sjellë në vazhdim./mxh
