Last Updated on 19/05/2026 by Monika
Tërmet në futbollin anglez. Pep Guardiola pritet të largohet nga Manchester City në fund të sezonit, duke mbyllur një epokë historike 10-vjeçare në “Etihad Stadium”.
Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubi, mediat britanike raportojnë se tekniku katalanas ka vendosur të mos vazhdojë më aventurën me “qytetarët”, pavarësisht kontratës që zgjat deri në vitin 2027.
Sipas “The Sun”, Guardiola ka zhvilluar një videotelefonatë urgjente me lojtarët, ku u ka bërë të ditur vendimin e tij dhe ka kërkuar ndjesë për rrjedhjen e informacionit në media. Raportohet se trajneri është irrituar nga publikimi i lajmit në një moment delikat të sezonit, kur Manchester City është ende në garë për titullin kampion.
Pep Guardiola konsiderohet nga shumë analistë si trajneri më i madh në historinë e Premier League. Që nga mbërritja e tij në Angli në vitin 2016, ai ka fituar 20 trofe me Manchester City, mes tyre gjashtë tituj kampionë dhe një Champions League, duke transformuar stilin e lojës në futbollin anglez.
Mediat britanike e cilësojnë largimin e tij si “fundin e një epoke”. BBC shkruan se “trashëgimia e Guardiolës do të mbetet për shekuj”, ndërsa “The Telegraph” thekson se koha e publikimit të lajmit nuk ishte ideale për klubin.
Në rrjetet sociale nuk kanë munguar reagimet. Këngëtari i njohur dhe tifoz i flaktë i City-t, Liam Gallagher, shkroi në platformën X: “Pep qëndron, ju neurotikë”.
Ndërkohë, drejtuesit e Manchester City po përgatiten për një homazh special në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Aston Villa. Sipas ESPN, klubi po mendon madje të vendosë emrin e Pep Guardiolës në një nga tribunat e stadiumit “Etihad”.
Pas një dekade dominimi absolut në futbollin anglez, gjithçka tregon se Pep Guardiola është gati të mbyllë kapitullin më të suksesshëm të karrierës së tij./mxh
