Last Updated on 30/04/2026 by Anisa
Partia Demokratike po shkon drejt një procesi zgjedhor që më shumë ngjan me formalitet sesa me një garë reale. Afati për dorëzimin e kandidaturave për kreun e ri të PD skadon këtë të enjte në orën 12:00, por gjithçka tregon se Sali Berisha do të mbetet i vetëm në garën e 23 majit.
Një udhëzim i publikuar vetëm pak orë para mbylljes së afatit – por i firmosur që më 18 mars – ka ndezur debate të forta brenda selisë blu. Dokumenti përcakton tre kritere kryesore për kandidatët, ku më i diskutueshmi është ai që ndalon kandidimin e personave të dënuar me vendim të formës së prerë.
Ky kriter përjashton drejtpërdrejt Ervin Salianjin, i dënuar me një vit burg për “kallëzim të rremë”, duke i mbyllur derën një prej zërave më kritikë ndaj lidershipit aktual.
Megjithatë, Salianji nuk tërhiqet. Ai deklaron se do të dorëzojë kandidaturën, duke e cilësuar të gjithë procesin një “farsë” dhe një përpjekje për uzurpim të partisë.
“Do depozitoj gjithçka është kërkuar, pavarësisht se është qartësisht farsë. Pa lista zgjedhore, pa kohë të barabartë. Kjo është frikë për t’u përballur,” – shprehet ai, duke akuzuar drejtpërdrejt Berishën për shmangie nga gara.
Përplasja nuk ndalet këtu. Edhe aktivistja Evi Kokalari ka reaguar ashpër, duke ngritur akuza të forta ndaj rrethit drejtues të PD-së. Ajo pretendon se kriteret janë mbajtur të fshehta qëllimisht për të eliminuar rivalët dhe ka drejtuar gishtin nga Shkëlzen Berisha si një nga personat që qëndrojnë pas vendimmarrjes.
Në një reagim publik, Kokalari akuzon gjithashtu Albana Vokshin dhe Gazment Bardhni për manipulim dhe bashkëpunim në atë që ajo e quan “marrje peng të Partisë Demokratike”.
Pavarësisht tensioneve dhe akuzave, Kokalari është shprehur e vendosur të depozitojë kandidaturën, ndërsa në listën e emrave që pritet të hyjnë në garë përmendet edhe Alesia Balliu.
Në thelb të debatit qëndron transparenca dhe barazia në garë. Publikimi i vonuar i kritereve, mungesa e listave zgjedhore dhe koha e kufizuar për kandidim kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi legjitimitetin e procesit.
Ndërsa ora e fundit afrohet, një gjë duket e qartë: “zgjedhjet” rrezikojnë të shndërrohen në një proces pa konkurrencë reale, duke thelluar përçarjet brenda Partisë Demokratike dhe duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e saj politike.
