Last Updated on 05/02/2025 by adminfjala
Qeveria është gati të hapë shtetin e ri të Bektashizmit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama pa dhënë një panoramë të qartë se si do të jetë ky organzim, herë pas herë jep informacion se si do të ndërtohet shteti i ri Bektashi. Ai tha se në këtë shtet nuk do të ketë taksa, polici dhe tatime.
Qeveria shqiptare ka vendosur që shteti bektashi në Shqipëri të mos ketë taksa, polici dhe tatime, por ende nuk është dhënë një pasqyrë e qartë mbi mënyrën se si do të funksionojë ky status. Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës së tij “Sy m’sy”, sqaroi se ky entitet do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. “Nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një shtet ashtu siç e mendoni ju. Nuk bëhet fjalë për gjëra të kësaj natyrë, bëhet fjalë për entitet pa dogana taksa polici. Në të gjitha aspektet i përgjigjet Kushtetutës së Shqipërisë”, ka deklaruar ai. Ky vendim vjen në vijim të angazhimit të qeverisë për t’i dhënë një status të veçantë Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, e cila prej 95 vitesh ka qendrën në Shqipëri. Katër muaj më parë, në momentin që hodhi këtë ide për një “shtet Bektashi,brenda shtetit”, pati shumë reagime, pjesa më e madhe e të cilëve e shihnin jo vetëm si antikushtetuese, por edhe një frymë përçarëse mes besimeve. Reagimit masiv Rama iu përgjigj duke theksuar se kjo nuk do të ndodhte tani, e madje do duhej shumë kohë si për konsultim ashtu edhe në zbatimin me përpikmëri të Kushtetutës. Kjo deklaratë e kryeministrit u cilësua si një tërheqje nga nisma (duke parë reagimet kundër), por tashmë është ringjallur, madje edhe me detajime. Në Shqipëri komuniteti mysliman shprehu shqetësim për deklaratën e kryeministrit Edi Rama për “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”. Në një reagim zyrtar, ky komunitet kujton që në fillim se ai është “përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri”, ndërsa thekson se “kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë”. Pas kësaj deklarate që u mbështet edhe nga besimet e tjera, kryeministri Rama nuk reagoi për një kohë të gjatë, por tashmë duket se është I vendosur se “Shteti Bektashi”, do të marrë formë… Në një intervistë për Neë York Times shtatorin e vitit të kaluar Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. “Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,” tha ai. Një mikroshtet i moderuar islamik, tha kryeministri, do të dërgonte një mesazh: “Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët”. Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira të ulët në Tiranën lindore. Është vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut. Kleriku mysliman Edmond Brahimaj po përgatitet të udhëheqë atë që, nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, do të bëhet shteti më i vogël në botë. Shteti i tij mysliman i shpresuar në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të stilit të jetesës. “Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, tha kleriku Edmond Brahimaj, i njohur nga ndjekësit si Baba Mondi, duke shpjeguar se si synon të sundojë mbi një copë toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë”shkruhej në gazetën e njohur Amerikane. Kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. “Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi,” tha Baba Mondi, 65 vjeç, një ish-oficer i Ushtrisë Shqiptare, i cili nderohet nga miliona në mbarë botën me titullin e tij zyrtar, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba. Ai është udhëheqësi kryesor i Bektashinjve, një rend sufi shiit i themeluar në shekullin e 13-të në Turqi, por tani me qendër në Shqipëri.