Last Updated on 02/11/2026 by EL
Çaji në Kinë nuk është thjesht një pije, por një histori mijëravjeçare që mbart aromën e traditës, bukurinë e natyrës dhe filozofinë e jetës. Ajo që e bën atë të veçantë nuk është vetëm shija apo aroma, por mënyra e përgatitjes, ku çdo gjest kryhet me përkujdesje, durim dhe dashuri. Në kulturën kineze, ceremonia e çajit është një art më vete, ku lëvizjet e duarve, format dhe simbolika e natyrës shndërrohen në një gjuhë mikpritjeje, miqësie dhe respekti.
Këtë traditë të veçantë patën mundësinë të njihnin nga afër edhe pjesëmarrësit shqiptarë në trajnimin për bashkëpunimin dhe inovacionin në bujqësi, që po zhvillohet në Kinë, përmes një sesioni të posaçëm kushtuar historisë dhe kulturës së çajit.
Një pedagoge e Kolegjit Profesional të Bioteknologjisë në Hubei prezantoi gjashtë kategoritë tradicionale të çajit kinez: çajin jeshil, të zi, të bardhë, Oolong, të errët dhe të verdhë, duke shpjeguar se të gjitha prodhohen nga e njëjta bimë, e njohur shkencërisht si Camellia sinensis.
Gjatë bashkëbisedimit me pjesëmarrësit, ajo u interesua edhe për traditën e konsumimit të çajit në Shqipëri, duke pyetur se cilat janë llojet më të përdorura. Çaji i malit, çaji i luleve dhe çajrat e tjerë bimorë janë pjesë e traditës së konsumit edhe në vendin tonë.
Pedagogia shpjegoi se çajrat bimorë, të përgatitur nga lule dhe bimë të ndryshme, dallojnë nga gjashtë kategoritë tradicionale kineze, të cilat kanë si bazë të njëjtën bimë. Ajo theksoi se Kina ka një traditë të pasur edhe në përgatitjen e çajrave bimorë, por gjashtë kategoritë tradicionale zënë një vend të veçantë në kulturën dhe historinë e vendit.
Prezantimi solli në vëmendje edhe zhvillimin historik të kulturës së çajit, veçanërisht gjatë dinastive Tang dhe Song, kur përgatitja e tij u shndërrua në një praktikë artistike, duke ndërthurur mjeshtërinë, estetikën dhe ritualin.
Përtej njohurive teorike, sesioni u shoqërua edhe me një demonstrim të artit të çajit nga tre studentë të kolegjit, të cilët prezantuan teknikat tradicionale të përgatitjes së tij.
Për pjesëmarrësit shqiptarë, ky aktivitet ishte një mundësi për të zbuluar një tjetër dimension të Kinës, ku tradita bujqësore, kultura dhe mikpritja ndërthuren në një filxhan çaj.
