Last Updated on 09/12/2025 by Monika
Prokuroria e Tiranës ka firmosur gjashtë masa ndaluese ndaj disa zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, në kuadër të hetimeve për prishjen e pallateve në zonën e Kombinatit, proces i kryer si pjesë e programit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.
Sipas informacioneve paraprake, të dyshuarit akuzohen për shkelje të procedurave dhe parregullsi në mënyrën se si janë trajtuar vendimet për shembje, përzgjedhjen e objekteve dhe procesin administrativ të dokumentacionit shoqërues. Pas verifikimeve të kryera, Prokuroria ka vlerësuar se ekzistojnë elementë të dyshimit të arsyeshëm për shpërdorim detyre.
Për të gjashtë zyrtarët janë caktuar masa sigurie arrest në shtëpi dhe detyrim paraqitje, të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi. Hetimet vijojnë me qëllim sqarimin e plotë të përgjegjësive dhe të procedurave të ndjekura gjatë procesit të rindërtimit, ndërsa autoritetet pritet të thërrasin edhe persona të tjerë për deklarime shtesë./mxh

