Last Updated on 07/05/2026 by Anisa
36 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë përfunduar në spital pas dyshimeve për helmim ushqimor. Sipas burimeve paraprake, studentët janë ndjerë keq menjëherë pas konsumimit të drekës brenda ambienteve të Akademisë, duke shfaqur komplikacione shëndetësore si të përziera, dhimbje barku dhe të vjella. Ata janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Burime bëjnë me dije se vetëm dy prej studentëve janë shtruar në spital, ndërsa të tjerët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë larguar.
Dyshimet e para lidhen me ushqimin e konsumuar gjatë vaktit të drekës. Akademia e Sigurisë ka një kontratë me një kompani private kateringu, e cila ofron shërbimin e ushqimit për tre vaktet ditore të studentëve. Pas incidentit, autoritetet shëndetësore dhe strukturat përgjegjëse kanë marrë mostra të ushqimit për analiza laboratorike, me qëllim përcaktimin e shkakut të helmimit.
