Rreth 12.500 persona kanë humbur jetën në Gjermani nga shkaqe të lidhura me temperaturat e larta që nga fillimi i këtij viti, duke shënuar numrin më të lartë vjetor që prej nisjes së regjistrimeve në vitin 2016.
Të dhënat janë publikuar nga Instituti Robert Koch (RKI) dhe mbulojnë periudhën nga 6 prilli deri më 2 gusht.
Instituti thekson se bëhet fjalë për një vlerësim konservativ dhe numri real i viktimave mund të jetë edhe më i lartë.
Shifra e këtij viti ka tejkaluar tashmë nivelet e regjistruara gjatë viteve të mëparshme me temperatura ekstreme.
Në vitin 2018, sipas të dhënave të RKI, rreth 9.400 persona vdiqën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin, ndërsa në vitin 2019 u regjistruan rreth 7.700 vdekje.
Situata ka qenë veçanërisht e rëndë në land-et Saarland dhe Rheinland-Pfalz, ku vdekshmëria e lidhur me të nxehtin arriti përkatësisht në 43.4 dhe 38.7 vdekje për 100 mijë banorë. Në nivel kombëtar, norma ishte rreth 15 vdekje për 100 mijë banorë.
Të moshuarit janë grupi më i prekur nga temperaturat ekstreme. Sipas RKI, rreth 6.300 viktima ishin 85 vjeç e lart, ndërsa më shumë se 3.100 ishin të moshës 75-84 vjeç dhe rreth 1.900 të moshës 65-74 vjeç. Rreth 1.200 viktima ishin nën moshën 65 vjeç.
Një ndikim të madh pati vala e të nxehtit në fund të qershorit. RKI vlerëson se rreth 9.600 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin vetëm gjatë javës 22-28 qershor, kur temperaturat në shumë zona të Gjermanisë iu afruan 40 gradë Celsius.
Instituti vëren se rritja e vdekshmërisë së lidhur me të nxehtin zakonisht bëhet e dukshme kur temperatura mesatare javore kalon 20 gradë Celsius. Gjatë javës 27 korrik-2 gusht, temperatura mesatare javore në nivel kombëtar ishte 21.6 gradë Celsius./kb
