Analisti Fatbardh Kadilli, gjatë një interviste për gazetën TemA, ka komentuar ndër të tjerë edhe qëndrimet e disa analistëve pranë Berishës, siç ishte edhe shkrimi i gazetarit Çim Peka, në të cilin ky i fundit ngre kritika ndaj mënyrës se si Sali Berisha po drejton Partinë Demokratike dhe argumenton se mbijetesa politike e ish-kryeministrit nuk mjafton më për ta kthyer opozitën në një forcë fituese.
I pyetur nëse shkrimi i Pekës përfaqëson një ndryshim real qëndrimi apo një lëvizje brenda kampit të Berishës, Kadilli e cilësoi atë si “rënkim të një besniku” që, sipas tij, tashmë e kupton se situata brenda PD-së nuk po funksionon.
“Është një klithmë, ose një rënkim më saktë, e njeriut që e di fare mirë që gjërat janë keq. E ka ditur fare mirë që gjërat nuk mund të bëhen mirë. E ka ditur gjithmonë, por ka zgjedhur të luajë besnikun ndaj Berishës, sepse si besnik i Berishës ka pasur identitetin e vet publik dhe përfitime të tjera”, tha Kadilli.
Sipas tij, kritika e Pekës nuk shkon deri te vënia në diskutim e vetë modelit politik të ndërtuar rreth Berishës, por mbetet brenda logjikës së besnikërisë ndaj tij.
“Ai e kupton, si çdo njeri, që gjërat nuk shkojnë dhe ofrohet të propozojë që Berisha do të bëjë një zgjedhje tani për besnikët. Pra, ne si besnikë të mbajtëm, tani ti na i shpërble besnikët”, u shpreh Kadilli.
Ai e lidhi këtë debat edhe me qëndrimin që ka mbajtur vetë prej vitit 2022, kur kundërshtonte rikthimin e Berishës në krye të Partisë Demokratike.
“Kur unë kam thënë që largimi i Bashës është i nevojshëm, por Berisha nuk është zgjidhje, kur i kërkova publikisht Berishës në të dy kuvendet: ‘Mos u kthe në krye të kësaj partie, se e vret partinë’, nga këta njerëz quhesha tradhtar, njeri që nuk kuptoja fare nga politika”, tha Kadilli.
Sipas tij, një pjesë e atyre që atëherë e sulmonin për këtë qëndrim po mbërrijnë sot në të njëjtin përfundim.
“Sot kanë ardhur te ky mendim edhe më fanatikët. Njëri guxon dhe e shkruan sepse po rënkon nga ndonjë pakënaqësi ose nga ndonjë vuajtje normale, por nuk shoh që të ketë thellë gjëja”, tha ai.
Në analizën e tij, problemi i Partisë Demokratike nuk zgjidhet as me zëvendësimin e Berishës me një figurë tjetër që vjen nga i njëjti model politik.
“Berishist më të mirë se Berisha nuk ka. Edhe në qoftë se i thua Berishës ‘ik tani dhe lëri vendin një Luli të dytë’, do të jetë një Luli i dytë”, tha Kadilli, ndërsa shton se, “Partia Demokratike vetëm një shans ka: të krijohet në anti-berishizëm. Dhe askush nga berishistët as nuk e mendon këtë gjë. Nuk ka as kapacitetet individuale, sepse nuk arrin ta mendojë, dhe nuk ka as kapacitetet morale, sepse asnjëherë nuk ka pranuar që ekziston një gjë përtej Berishës”, përfundoi Kadilli./ad
