Last Updated on 27/04/2026 by Anisa
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, duke folur në emisionin “Dita Jonë” për gjyqin në themel ndaj ish-presidentit Meta, e cilësoi procesin si “gjyqi i shekullit”.
“Do jetë proces gjyqësor i hapur. Ai ka kërkuar që çështja e tij të transmetohet Live në media. Sot do nisim një rrugëtim ligjor që ndoshta është edhe gjyqi i shekullit, sepse s’ndodh gjithmonë që një ish-President të vihet përballë togave të zeza”, tha Cakrani.
I pyetur nëse Ilir Meta do të takohet me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, gjatë procesit, Cakrani u shpreh se ajo është pjesë e çështjes dhe sipas tij, roli i saj është thelbësor në dosje.
“Zonja Kryemadhi është pjesë e procesit gjyqësor, dhe të kuptojmë diçka, që e gjithë çështja është rreth zonjës Kryemadhi. Znj. Kryemadhi ka marrë të gjitha përgjegjësitë sa i takon asaj, sepse ajo s’është një shtëpiake, ka qenë një njeri aktiv në politikë, ka qenë deputete, ka qenë pjesëmarrje në çdo vendim që është marrë nga Kuvendi, edhe nga LSI e kështu me radhë.
Disa përgjegjësi që i takojnë znj. Kryemadhi, kanë vendosur të bëjnë bashkëpërgjegjës edhe z. Meta, që s’është e drejtë nga pikëpamja procedurale, ligjore”, u shpreh ai.
