Një psikiatër i thirrur nga mbrojtja ka dalë në mbrojtje të trajtimit me ilaçe që iu administruan Diego Maradonës në javët para vdekjes së tij, teksa vijon gjyqi për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me vdekjen e legjendës së futbollit.
Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e arrestit kardiorespirator dhe edemës pulmonare, ndërsa ndodhej në trajtim në shtëpinë e tij në Tigre, në veri të Buenos Airesit.
Mënyra se si u organizua dhe u zhvillua kujdesi mjekësor në shtëpi është në qendër të gjyqit, i cili nisi në prill në San Isidro. Shtatë profesionistë të shëndetësisë janë në bankën e të akuzuarve, nën dyshimet për neglizhencë që mund të ketë kontribuar në vdekjen e futbollistit.
Psikiatri hedh poshtë dyshimet për ilaçet
Procesi gjyqësor ka hyrë në një fazë të re, me dëshmitarët e parë të thirrur nga mbrojtja e ekipit mjekësor.
Psikiatri Anibal Areco kundërshtoi pretendimet e ngritura më herët nga ekspertët e prokurorisë për barnat psikotrope që iu administruan Maradonës nga psikiatrja Agustina Cosachov.
Areco deklaroi në gjykatë se ilaçet nuk ishin shkak i vdekjes së Maradonës.
“Shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohej, por megjithatë mund të konfirmoj se nuk ishte as helmim dhe as problem i lidhur me drogën”, dëshmoi ai.
Sipas psikiatrit, receta e barnave psikotrope ishte e përshtatshme për gjendjen klinike të pacientit, ndërsa dozat e përdorura nuk shkaktonin kardiotoksicitet.
Ekspertët e thirrur më herët nga prokuroria kishin ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e këtyre medikamenteve, për shkak të efekteve të mundshme në funksionimin e mëlçisë, veshkave dhe zemrës.
“Nuk kishte tregues të qartë se duhej shtruar në spital”
Në dëshminë e tij, Areco vuri gjithashtu në dyshim nevojën për shtrimin e Maradonës në spital kundër vullnetit të tij.
“Nuk ka asnjë tregues të qartë se ky pacient kishte nevojë për këtë lloj kujdesi”, deklaroi ai.
Prokuroria, ndërkohë, po shqyrton jo vetëm trajtimin psikiatrik që iu ofrua Maradonës, por edhe rolin e Agustina Cosachov në organizimin e trajtimit të tij në shtëpi/k.m
