Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja paralajmëroi se forca e ligjit do të veprojë ndaj protestuesve që guxojnë të ngrenë dorë ndaj policisë, apo të sulmojnë institucionet.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Gonxhja u shpreh se protestues të tillë që kryejnë akte dhune “do të merren për leckash” dhe do të procedohen nga uniformat blu.
“Në rast se guxon të ngresh dorë, t’u kundërvihesh punonjësve të policisë, do të të marrin për veshësh, a për leckash, do të të fusin në furgon dhe do të procedojnë, dhe më pas mund të të lënë të lirë, apo të procedojnë nëse ke kryer akte që konsiderohen vepra të caktuara, do procedohesh si çeço. Kjo gjë do të bëhet e qartë për të gjithë njerëzit që s’mund të vazhdojë më kështu, s’mund të përdhosin më institucionet në këtë lloj forme. Nuk kemi ne, edhe po të ishim ne, s’është e drejta e askujt që të vendosë me vetëgjyqësi si në mesjetë, shkallën, fajin, dënimin. Unë tek e tek s’e di kush janë, mund të di podkastin e njërit apo tjetrit“, tha Gonxhja.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka sqaruar deklaratën e tij, ku i cilësoi si “tufë budallenjsh” disa protestues, duke theksuar se nuk i është referuar të gjithë pjesëmarrësve në protesta, por vetëm atyre që ushtrojnë dhunë.
“Duhet ta sqarojmë. Unë kam folur shumë qartë, 25 deri në 100 vetë që gjuajnë me gurë dhe bllokojnë hyrjen, kur luajnë mendsh, gjuajnë me gur dhe e shkelin atë që është natyra e protestës, kthehen në të dhunshëm, ata të dhunshmit kam cilësuar siç the (tufë budallenjsh)”, tha ministri.
I pyetur nga gazetari Andrea Danglli nëse, me këtë logjikë, edhe protestuesit e 21 Janarit do të duhej të cilësoheshin në të njëjtën mënyrë, Gonxhja tha se ngjarjet nuk mund të krahasohen, pasi kanë ndodhur në kontekste krejtësisht të ndryshme.
“Ngjarjet kanë kontekste të ndryshme. Duhet t’i krahasoni ngjarjet. Ne vijmë aty pas ngjarjesh shumë të rënda, tragjike. Këtu s’janë në analizë ngjarjet e asaj periudhe. Ka ndryshuar tërësisht konteksti. Kryeministria s’ka më asnjë mur rrethues, s’ka fare porta hekuri dhe nga këto të tjerat. Ne jemi në kushte krejt të tjera, kur atyre s’u preket një fije floku. S’u është prekur asnjë qime floku kur protesta është civile dhe qytetare. Kur sulmon Parlamentin po, nuk diskutohet”, u shpreh Gonxhja./ad
