Gazetari i njohur Artan Hoxha ka komentuar për Top Channel vendimin e autoriteteve greke për ta shpallur “non grata”. Ai e cilësoi këtë veprim si të papritur, duke theksuar se më herët masa të tilla kishin pasur një afat të caktuar, ndërsa tani është kthyer në një qëndrim politik pa afat.
Ai tha se është interesuar nëse ky vendim mund të ndiqet në rrugë gjyqësore, por sipas tij kjo është e pamundur, pasi bëhet fjalë për një vendim të shtetit grek që nuk mund të ndryshohet pa një vendim politik.
“Thjesht më çuditi si veprim, sepse nuk është se nuk kishin bërë më përpara, por gjithmonë kishte një afat. Unë jam interesuar edhe nëse mund të ndiqet në rrugë gjyqësore, pra duke përdorur të drejtat që të jep sistemi i drejtësisë në Greqi, por ky është një vendim i shtetit grek dhe nuk ke si e ndryshon. Është e kotë ta ndjekësh në gjykatë, sepse është e pamundur nëse nuk merret një vendim politik. Pra, e kanë kthyer në një qëndrim të tillë. Sigurisht, unë jam një qytetar i thjeshtë, nuk kam as mbështetje politike, as angazhim. Ne duam s’duam jemi aty, prej mijëra e mijëra vitesh. Nuk është se zhvendosemi dot. Duam s’duam, në të mirë apo në të keq.
Ne kemi problem me ata që na drejtojnë ne, dhe edhe unë do të doja të njëjtën gjë. Pra, do të doja që qeveritarët e vendit tim, politikanët e vendit tim, të kenë të njëjtin respekt dhe të njëjtin impenjim për vendin e tyre, për kombin e tyre, siç kanë grekët. Ata mund të kenë shumë probleme në politikën e brendshme, mund të kenë përplasje shumë të forta mes forcave politike, por kur vjen puna për çështjet kombëtare ata unifikohen shumë shpejt.” u shpreh ai.
Me pas Hoxha u ndal edhe tek marrëdhëniet midis dy vendeve, duke theksuar se ato nuk qetësohen kur dëshiron pala shqiptare, por vetëm kur vendos pala greke. Sipas tij, zhvillimet politike në Greqi, sidomos ato që lidhen me rryma më të buta ndaj Shqipërisë, krijojnë përshtypjen e një klime më të favorshme, por në fakt gjithçka varet nga vendimet e tyre. Ai kujtoi se pas viteve ’90 pozicioni i Greqisë ka qenë gjithmonë dominues, ndërsa vetëm kriza ekonomike e viteve 2008–2014 e dobësoi ndikimin e saj në Ballkan.
“Vetëm kriza ekonomike e viteve 2008–2014 bëri që ata ta humbnin terrenin në Ballkan, por deri atëherë ishin shumë prezentë. Kujtoni vitin ’97, ushtria greke ishte këtu, u instalua dhe qëndroi për një kohë të gjatë. Edhe në atë kohë opozita, kjo që është sot, thoshte pse duhet të kemi një njësi të ushtrisë greke kaq brenda territorit shqiptar. Gjithsesi, ajo që ne kërkojmë është që të kemi qeveritarë dhe politikanë që së pari të kenë respekt për veten.
Nëse kryeministri i vendit, i cili është në mandatin e katërt, kthehet në çështje kryesore tek veshja atje, kjo nuk i intereson askujt nga shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe janë gati gjysmë milioni. Ata nuk janë pak, numerikisht dhe ekonomikisht janë të rëndësishëm, sepse prodhojnë një pjesë të mirë të prodhimit të brendshëm bruto dhe tashmë janë pjesë aktive e sistemit ekonomik grek. Por u deshën ato takime që bëri kryeministri për fushatë, të cilat sigurisht i përdori në interes të vet, jo në interesin tonë. Po të shikoni Ramën e 2013‑s dhe Ramën e 2026‑s, duket sikur janë dy njerëz krejt të ndryshëm, sepse ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimin e tij.”-tha Hoxha.
Gazetari Artan Hoxha u ndal edhe tek rasti i Fredi Belerit, duke theksuar se sot kryeministri Rama flet sikur shqiptarët duan ta harrojnë këtë çështje. Ai kujtoi se Beleri nuk është një figurë e shpikur nga shqiptarët, por një person që ka kaluar nëpër procese të gjata ligjore.
“Pra sot ai flet më tepër si një njeri që thotë: duam ta harrojmë Belerin. A thu se Bel Belerin e shpikëm ne. Ka folur në studio ai para se të bëhej veprimi në Vlorë. Ai zotëria ka folur, ndërkohë që ata njerëzit që ekzekutuan vendimin shkuan në burg me Fredin. Drejtori operacional ka qenë në burgun e Fierit me Fred Belerin, ai që bëri arrestimin atë ditë. Prokurori që u mor me çështjen shkoi në burg.
Pra, nëse qeveria greke dhe politika greke e mbrojti Fredi Belerin dhe e çoi deputet në Parlamentin Europian, gjë të cilën ai e citoi sot. Tha që ta harrojmë, ju e keni çuar në Parlamentin Europian. Ndërkohë në Shqipëri ti e dënove. Ai vazhdon betejën ligjore me sistemin e drejtësisë, ka bërë një të mëparshme dhe e ka humbur deri në Strasburg për rastin e ngjarjes së vitit 2003. Deri në Strasburg ka shkuar dhe e humbi betejën më parë. Tani Rama nuk mund të bëjë sikur s’ka ndodhur.”-u shpreh Artan Hoxha.
