Last Updated on 23/04/2026 by Anisa
Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që zgjedhjet për kreun e partisë të zhvillohen në muajin maj, një proces që pritet të rihapë debatin e brendshëm për drejtimin e forcës kryesore opozitare.
Në emisionin “Koha Jonë – Debat”, drejtuesi Nikoll Lesi ngriti pyetjen se kush po përballet realisht me Sali Berishën në këtë garë të brendshme, duke theksuar se një rival i mirëfilltë duhet të ishte shfaqur tashmë në skenën politike të PD-së.
Në përgjigje, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, u shpreh se deri tani nuk ka një kandidat të konsoliduar përballë Berishës.
“Rival është ai që pretendon që të jetë i tillë,” tha Boçi, duke nënkuptuar se gara mbetet ende e hapur dhe pa një figurë të qartë sfiduese.
Lesi këmbënguli se një garë e tillë duhet të kishte nisur më herët, ndërsa Boçi ia ktheu se arsyeja pse kjo nuk ka ndodhur është çështje e vetë individëve që mund të hyjnë në garë.
Në vijim, u diskutua edhe për mundësinë e kandidimit të Ervin Salianjit, për të cilin Boçi u shpreh skeptik për statusin e tij brenda partisë.
“Nuk di më nëse Ervini është anëtar i Partisë Demokratike,” tha ai, duke lënë të hapur dyshimet mbi përfshirjen e tij në procesin zgjedhor.
Lesi iu referua deklaratave të mëhershme të Berishës për Salianjin si “i vetëpërjashtuar”, duke përmendur edhe raste të tjera përjashtimesh në historinë e PD-së.
“Doktori i madh dikur ka përjashtuar Çekën, Preç Zogajn, Arben Imamin, Dashamir Shehin, Genc Pollon dhe tani ka kaluar nga përjashtim në vetëpërjashtim. Salianji thotë jam anëtar i PD,” u shpreh Lesi.
Boçi, nga ana e tij, theksoi se funksionimi i një partie politike nuk bazohet në dëshira individuale.
“Nuk është vetëm çështje dëshirash. Formacionet politike janë bashkim i vullnetëve të lira,” tha ai.
I pyetur më tej se çfarë ka shkelur konkretisht Salianji, Boçi iu referua vendimeve të strukturave drejtuese të partisë.
“Ato që janë treguar nga sekretari i përgjithshëm dhe nga kryetari i Partisë,” u përgjigj ai.
Në fund të debatit, Lesi ngriti pyetjen nëse pakënaqësia ndaj lidershipit aktual po krijon rryma të reja brenda PD-së, ndërsa Boçi theksoi se gara e brendshme nuk duhet të shihet si një “luftë brenda partisë”, por si një proces demokratik.
“Gara brenda partisë nuk është kush e bën luftën më të fortë brenda partisë, se ne këtu gabojmë,” përfundoi ai.
Diskutimi:
Lesi: Kush është rivali i Berishës për kryetar të PD?
Boçi: Ai që pretendon që të jetë rival.
Lesi: Duhet të kishte dalë.
Boçi: Pse nuk ka dalë është çështje e tij.
Lesi: Ervin Salianji është kandidat?
Boçi: Nuk di më nëse Ervini është anëtar i Partisë Demokratike.
Lesi: Salianji është vetëpërjashtuar, sipas Doktorit!
Boçi: Po sigurisht!
Lesi: Doktori i madh dikur ka përjashtuar Çekën, Preç Zogajn, Arben Imamin, Dashamir Shehin, Genc Pollon dhe tani ka kaluar nga përjashtim në vetpërjashtim. Salianji thotë jam anëtar i PD.
Boçi: Nuk është vetëm çështje dëshirash. Formacionet politike janë bashkim i vullnetëve të lira.
Lesi: Çfarë shkeli Salianji?
Boçi: Ato që janë treguar nga sekretari i përgjithshëm dhe nga kryetari i Partisë.
Lesi: Sallat e Salianjit janë plot me demokratë, ka një zhgënjim personal, apo përfaqëson një rrymë brenda PD që janë të pakënaqur për lidershipin e PD?
Boçi: Gara brenda partisë nuk është kush e bën luftën më të fortë brenda partisë, se ne këtu gabojmë.
