Last Updated on 13/10/2026 by EL
trategjitë e Ferrarit shpesh janë kritikuar për gabime dhe vendime të diskutueshme, një situatë që është bërë thuajse e zakonshme në botën e Formulës 1. Megjithatë, Çmimi i Madh i Singaporit ishte ndryshe, pasi skuderia italiane kishte hartuar një strategji të mirë, e cila mund t’u siguronte të dy pilotëve një rezultat të shkëlqyer, veçanërisht Luis Hamiltonit.
Britaniku, edhe pse me diferencë të konsiderueshme, vazhdon të ketë ende shpresa në garën për titullin botëror. Ferrari kishte mundësinë të siguronte vendin e dytë për Sharl Lëklerkun dhe vendin e tretë për Luis Hamiltonin, nëse të dy pilotët do të ndiqnin udhëzimet e ekipit. Megjithatë, njëri prej tyre vendosi të merrte vetë rolin e strategut, por zgjedhja nuk rezultoi e suksesshme.
Gjatë periudhës së “Virtual Safety Car”, Hamiltoni u thirr në bokse së bashku me shokun e tij të skuadrës, Sharl Lëklerk. Por britaniku vendosi të mos hynte në bokse dhe të vazhdonte garën me goma të buta, tashmë shumë të konsumuara. Ky vendim i kushtoi podiumin, në një kampionat ku çdo pikë ka rëndësi, veçanërisht për të, që ende ruan disa mundësi për të luftuar për titullin.
“U kërkuam të dyja makinave të ktheheshin në bokse gjatë periudhës së Makinsë Virtuale të Sigurisë. U thamë: ‘Djema, kthehuni në bokse’. Njëri prej pilotëve të mi u përgjigj: ‘Jo, preferoj të qëndroj në pistë’, duke mos iu bindur thirrjes për hyrjen në bokse. Mos e fajësoni ekipin”, deklaroi prerazi drejtuesi i Ferrarit, Fred Vasër.
PËRPLASJET ME MEDIAN VAZHDOJNË – Strategjia e ndjekur nga Hamiltoni dhe rezultati zhgënjyes që pasoi bënë që gazetarët t’i drejtonin një sërë pyetjesh drejtuesit të Ferrarit, duke shkaktuar irritimin e tij. “A u bëtë kaq shumë pyetje edhe MekLarenit?”, u përgjigj Vasër me ironi, duke iu referuar përplasjes mes Oskar Piastrit dhe Lando Norrisit gjatë garës Sprint të së shtunës.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit përfundimtar zhgënjyes, Vasër u përpoq të vlerësonte edhe anët pozitive të fundjavës. “Nuk jam i zemëruar. Në përgjithësi, ishte një fundjavë e mirë. Të dy pilotët bënë një punë të shkëlqyer. Kur u kërkuam të ndërronin pozicionet në pistë, ata e bënë këtë. Qëndrimi i tyre ishte i qartë dhe, gjithashtu, i drejtë ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh francezi.
Megjithatë, mbeten ende disa aspekte që duhen përmirësuar, në mënyrë që të shmangen situata të tilla në të ardhmen. Në garën e Singaporit, Ferrari humbi 10 pikë tepër të vlefshme për kampionatin, një humbje për të cilën Vasër foli hapur: “Kishim mundësinë ta përfundonim garën në vendin e dytë dhe të tretë. Është për të ardhur keq që humbëm pikë në kampionatin botëror në këtë mënyrë. Duhet të flasim me Hamiltonin, për të shmangur situata të tilla në të ardhmen”, përfundoi Vasër./et
